Qyteza fantazëm

Fundi i tetorit në shumë vende të botës sjell atmosferën e Halloweenit, që edhe në Kinë ka fansat e vet. Kryesisht fëmijët dhe të rinjtë përfshihen në veprimtari me maska të frikshme, apo shkëmbejnë mesazhe me figura kungujsh dhe fantazmash. Madje në disa qytete kineze në qendra tregtare shihen lodra për fëmijë me shtriga, kunguj simbol të festës, që në këtë periudhë të vitit përdoren për të festuar. Në legjendat dhe mitologjinë kineze, ashtu si në të gjitha qytetërimet e lashta misteri dhe elementet e tij janë mëse të pranishme. Madje ekziston dhe një qytezë, me emrin Fengdu, që cilësohet si "misterioze" apo "fantazëm"

Fengdu është një stacion turistik i ideuar sipas konceptit të Ferrit në mitologjinë kineze dhe budizmit, i njohur si Diyu. Mosha e tij është 1800 vjeçare. Gjatë udhëtimit me krociera në Lumin Yangtze turistët gjithmonë ndalonin për një vizitë në Fengdu, të njohur si "Qyteti Fantazmë". Ai ka qenë dikur një varrezë e madhe brenda së cilës gjendeshin tempujsh e memoriale, por me ndërtimin e hidrocentralit më të madh në botë, të njohur si "3 digat", ky qytet mbeti vetëm një ishull, ndërsa pjesa tjetër e tij u mbulua nga uji.

Në pjesën e mbetur të qytezës në kodër mund të vizitohen tempujt. Turistët kanë rast të vizitojnë dhe " Portën e Ferrit" dhe çka është më interesante, në traditën kineze koncepti i Ferrit është i ngjashëm me atë perëndimor. Në këtë vend vizitorët mund të shohin statuja dhe afreske me figura djajsh të shndritshëm.

Legjenda kineze e Fengdusë

Fengdu është vendi ku jetojnë djajtë, sipas legjendave kineze. Ato rrëfejnë se shpirtrat e mirë i drejtohen parajsës, kurse ata të ligj ose djajtë shkojnë në Ferr, apo në Fengdu. Qyteza e mori këtë emër nga Kodra Ming Shan që konsiderohej si shtëpia e Tianzi, Mbretit të Vdekjes. Këtu mund të vizitosh një tempull në majë të kodrës, i cili i kushtohet Tianzisë. Pas ndërtimit të 3 digave dhe përmbytjes nga lumi Yangtze vendi me rrugë të shkreta u mbulua nga uji.

Kodra Ming Shan tani është një ishull, në të cilin ndodhen varre, pasi Fengdu ishte një zone për varreza. Ka qenë dhe mbetet një nga varrezat më të mëdha taoiste, ku vizitori sheh dhe disa tempuj dhe memorial. Për tu ngjitur në majë të kodrës vizitorit i duhen 15 minuta me këmbë, por ngjitja mund të bëhet dhe me teleferik. Mjaft interesante janë stolisjet te Tempullit të Vdekjes me statuja demonësh që hanë njerëz dhe njerëz që vuajnë. Bien në sy djajtë në ngjyrë blu të errët. Këtu organizohen veprimtari të ndryshme me karakter folkloric dhe artistik. Njera prej tyre është mjaft argëtuese pasi vizitorët i nënshtrohen proves së vrapimit duke mbajtur frymëmarrjen ndërsa kalojnë në një urë mes statujave të djajve. Kjo prove që në ditët e sotme duket thjesht argëtuese, dikur kishte një tjetër kuptim. Sipas traditës taoiste hyrja në këtë zone është fatsjellëse.

Fengdu ashtu si dhe qytetet e tjera përgjatë rrjedhës së lumit Yangtze ka shumë legjenda për të treguar. Thuhet se këtë reputacion qyteza e mori gjatë dinastisë Tang në vitet 618-907 të erës sonë, kur njihej si vendi i të vdekurve dhe i Mbretit të Ferrit. Legjenda thotë se dy burra të quajtur Yin dhe Wang arritën këtu në kohën e dinastisë Han në vitet 206-220 p.e.s dhe u bënë të pavdekshëm, sipas traditës taoiste. "YinWang" do të thotë " Mbreti i Ferrit" ose "Mbreti i Errësirës" apo "Mbreti i Botës së Nëndheshme". Ndërsa gjatë dinastisë Tang njerëzit besonin se në këtë zone jetonte Mbreti i Ferrit. Atëkohë ky vend u bë një nga vendvarrimet më të mëdha të Kinës.

Vendndodhja

Tempulli i Fantazmës Fengdu ndodhet 160 km në lindje të qytetit Chongqing në liqenin e "3 digave".Fytyra gjigande në majë të kodrës e njohur si "Mbreti fantazëm" ka hyrë në Librin e Rekordeve Guinness si skulptura më e madhe e gdhendur në një shkemb. Ajo ka një gjatësi prej 138 metrash dhe gjerësi 217 metra. Kjo sculpture mund të shihet nga çdo cep i qytezës, që shtrihet poshtë kodrës.

Në afërsi të Fengdusë, rreth 130 km në perëndim të lumit Yangtze dodhet Tempulli Shibaozhai, i ngjashëm me një pagodë në formë piramide. 60 km në jug të Fengdusë ndodhet zona karkstike Wulong, plot ura e shpella, mjaft e preferuar nga turistët.

Me afrimin e festës perëndimore Halloween, në disa qytete kineze kanë nisur zbukurimet e mjediseve publike me simbolet e saj. Në rrugët e qytetit Shengyang është krijuar një atmosferë gati magjike me mijëra fenerë në formë kungujsh, që kanë tërhequr vëmendjen e qytetarëve. Por më shumë të rinjtë dhe fëmijët do të jenë pjesë e festimeve nëpër lokale me rastin e kësaj feste të hareshme./CRI