Vrasësi i Komisarit Artan Cuku, ka një kërkesë që të tregojë se kush e pagoi

Mikel Shallari, i arrestuar një ditë më parë si autor i dyshuar për vrasjen e ish-kryekomisarit, Artan Cuku, ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë, por me kushtin që t'i sigurohet familja.

Burime saktësuan se Shallari është treguar i gatshëm të nxjerrë emrat e porositësve të vrasjes së kryer nga vetë ai mbrëmjen e 8 prillit në Tiranë.

24-vjeçari kërkon garanci për familjen, si dërgimi në një vend jashtë Shqipërisë dhe ndërrimi i identiteteve, për t'iu shmangur një hakmarrje të mundshme nga urdhëruesit e atentatit që i mori jetën ish-drejtorit të Policisë së Vlorës.

Po të njëjtat burime bëjnë të ditur gjithashtu se krimi dyshohet se u porosit nga një burg jashtë vendit, ndërsa po hetohen disa pista që mund të çojnë në zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e personave që urdhëruan vrasjen.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur akuzë për Mikel Shallarin për "vrasje me paramendim për gjakmarrje të kryer në bashkëpunim".