Më 17 gusht 1911 vdiq i helmuar petro Nini Luarasi
Petro Nini Luarasi lindi në 22 prill të vitit 1865 në Luaras të Kolonjës. Ai ishte nxënës në shkollën e Qestoratit, drejtuar nga Koto Hoxhi.
Punoi si mësues në fshatrat e Kolonjës, ku u mësonte fëmijëve fshehurazi gjuhën shqipe dhe përgatiti një grup shokësh si mësues.
Më 1882 hapi shkollën e parë shqipe në fshatin Bezhan të Kolonjës, kurse më 1887 hapi shkollën shqipe në Ersekë dhe pak më vonë (1892-1893) shkollat shqipe në krahinën e Kolonjës e të Vakëfeve.
Petro Nini Luarasi punoi si drejtor dhe mësues i Mësonjëtores së parë shqipe të Korçës dhe më vonë i shkollës së Negovanit (1909-1911).
Në vitin 1892, bashkë me Gjerasim Qiriazin, themeluan shoqatën protestante "Vëllazëria e Shqipërisë".
Në emigracion, në Amerikë (1904-1908), mori pjesë gjallërisht në lëvizjen kombëtare dhe ishte nismëtar i shoqërive patriotike "Mall i Mëmëdheut" dhe "Pellazgu", si dhe i krijimit të komiteteve të fshehta për lirinë e Shqipërisë. Ishte delegat në Kongresin e Manastirit (1908).
Për veprimtarinë patriotike, arsimore e shoqërore u përndoq nga xhonturqit dhe Patrikana e Stambollit. Vdiq i helmuar prej tyre në Ersekë, më 17 gusht 1911.