Hapet Sheshi Skënderbej/ Rama: Hera e parë që më dridhen gjunjët...nuk mbaja dot lotët

Sheshi Skënderbej është hapur mbrëmjen e sotme për qytetarët në një koncert festiv të organizuar nga Bashkia e Tiranës.

Në këtë aktivitet inaugurues për hapjen e sheshit Skënderbej mbajti një fjalim Kryeministri Edi Rama.

Rama tha se është hera e parë në historinë e tij politike që i dridhen gjunjët nga emocioni për sheshin, projekt që e kishte nisur në kohën kur drejtonte Bashkinë e Tiranës.

Punimet për sheshin Skënderbej zgjatën rreth 10 muaj.

“Është hera e parë në jetën time politike që unë nuk shkruaj dot një fjalim, besojeni ose jo por është hera e parë që mua më dridhen gjunjët, besojeni ose jo është nga fjalimet e rralla që do jetë i shkurtër. Kam kaluar në shesh përpara disa javësh me Lindën vetëm dhe nuk i mbaja dot lotët. Sepse e kam besuar që Shqipërisë, Tiranës i duhej ky shesh dhe ka pasur momente që jam dorëzuar duke menduar se ky shesh nuk do të bëhej kurrë.

Dhe kur ecnim atë natë me Lindën më dukej e pabesueshme por e mrekullueshme që megjithëse zgjati 10 vite sheshi i Skënderbeut rilindi dhe ambicia jonë për Tiranën fitoi. Nuk do të ishim këtu sot nëse nuk do të kishim lali Erin, të cilit i jam shumë mirënjohës që e rimori projektin dhe e çoi deri në fund. Padiskutim ky nuk do ishte një shesh kaq i bukur nëse nuk do shahej”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.