ZYRTARE/ FSHF përcakton stadiumin ku do luhet ndeshja Shqipëri-Izrael

Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar se nuk do të ketë ndryshime në stadium pasi ndeshja e 12 nëntorit mes Shqipërisë dhe Izraelit do të luhet në “Loro Boriçi”.

Stadiumi “Elbasan Arena” ishte një opsion emergjence, pasi në impiantin e Shkodrës po rinovohej tapeti i cili tashmë është konfirmuar që do të jetë gati për ndeshjen e radhës të kuqezinjve.

“Federata Shqiptare e Futbollit, njofton sportdashësit, median dhe gjithë opinionin, se ndeshja e 12 nëntorit mes Shqipërisë dhe Izraelit, për eliminatoret e Kampionatit Botëror të Futbollit “Rusi 2018”, do të luhet sipas parashikimit në stadiumin “Loro Boriçi” të qytetit të Shkodrës. Të gjitha lajmet për të kundërtën apo që ndeshja do të luhet në Elbasan, janë të pavërteta dhe pa asnjë konfirmim zyrtar apo deklaratë të dalë nga institucioni shqiptar i futbollit. FSHF rikonfirmon ndeshja do të luhet në stadiumin e Shkodrës dhe kjo gjë nuk është vënë asnjëherë në dyshim”, shkruhej në njoftimin e Federatës Shqiptare të Futbollit.