Detyrime ligjore për rrënjosjen e debatit publik mes kandidatëve

Nga Erion Delvina

Shqipërisë i duhet një detyrim ligjor me afat të pacaktuar, që përball televizivisht kandidatët dhe ofertat e tyre elektorale. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, në kuadrin e reformës elektorale si frut i kokëpjekjes mes të mëdhave, duket se nuk do të vonojnë shumë pas konstituimit të shumicës së re qeverisëse që do të marrë besim pas 25 qershorit. Në axhendën parlamentare të legjislaturës së nëntë të Kuvendit pluralist të Shqipërisë, reforma elektorale, ringritja e komisionit të posaçëm për mbarëvajtjen e saj, pritet si pikë nistore e legjislaturës së re. Mediatikisht është lënë të kuptohet kështu. Shumë propozime të karakterit teknik do ta furnizojnë debatin e pritshëm, por kryesisht një çështje, nisur nga zhvillimet e para problematike të këtyre ditëve të para të fushatës kombëtare zgjedhore, vlen të veçohet e investohet fuqimisht në opinion publik dhe rrethe vendimmarrësish. Çështje, që për asnjë arsye nuk duhet t’i mungojë tryezës së komisionit të ri zgjedhor: Detyrimi ligjor për daljen në debat publik televiziv të kandidatëve garues.

Në rrethana të tjera, debati për pikënisje dhe burim duhet të kishte përgjegjësinë morale dhe politike për t’i shërbyer interesit të publikut me informacionin bazik, ofertën elektorale të secilës forcë. Megjithatë, precedencat në këto rrethana jo domosdoshmërish na duhen, ndërsa debati po.

Deri në pikën kur farat e debatit publik të rrënjëzohen, shtrëngimi ligjor mund të konsiderohet si zgjedhje e duhur për shëndoshjen e kulturës politike. Nuk kemi të dhëna nëse mosmbajtja e një ballafaqimi të tillë është gatim i dalë prej kuzhinës së marrëveshjes së 18 majit mes të mëdhajave, edhe pse zërat nuk mungojnë. Çfarë dimë është që medoemos ose 1 forcë politike përmes një aksioni politik, 1 deputet përmes 1 nismë ligjore vetjake në Kuvend, ose 20,000 zgjedhës firmëtarë përmes një aksioni qytetar duhen angazhuar që të zgjedhurit të vihen përpara një udhe pa mundësi zgjedhjesh të tjera: llogaridhënie publike, edhe si detyrim ligjor (përveçse moral dhe politik), përmes ballafaqimit të ofertave me kandidatët e tjerë.

Që Tsipras dhe Samaras nuk janë ballafaquar me njëri-tjetrin në një debat publik as në vitin 2012 e as në vitin 2015, edhe pse dukej të ishin pranë me ftesa dhe shmangie të ndërsjellta, para të cilave situata e tanishme politike në Shqipëri duket e fotokopjuar, nuk duhet marrë në konsideratë si argument për mospërpjekjen e rrënjosjes së një tjetër kulture me mekanizma ligjorë të përkohshëm në Shqipëri. Mospërballja Zaev-Gruevski aq më pak. Përballjet televizive të kandidatëve në Maqedoni janë në kuota më të pëlqyeshme se rasti shqiptar. Branko Crvenkovski i LSDM and Ljubco Georgievski i VMRNO-DPMNE e patën një përballje mes njëri-tjetrit në vitin 1998. Vetë Ljubco Georgievski ishte refuzuar 4 vjet më parë kësaj përballjeje nga Kiro Gligorov, ish-presidenti maqedonas. Edhe në 2004-n, sërish në kuadrin e zgjedhjeve presidenciale, Cervenkovski u përball televizivisht me Sasko Kedevin e VMRNO-DPMNE. E tillë praktikë u ruajt edhe në 2014-n, kur në MTV maqedonase Gjorgje Ivanov, Zoran Popovski, Iljaz Halimi dhe Stevo Pendarovski patën një përballje katërshe mes tyre. E pëlqyer është loja e ftesave pa përgjigje edhe nga klasa politike kosovare. Isa Mustafa i bënte ftesa, të cilat mbeteteshin pa përgjigje, kryeministrit Thaçi në maj të 2014-s. Shqipëria, të fundit shkëndijë përballjesh të kandidatëve kryeministrorë, edhe pse jo në periudhë zgjedhore, e ka në 1 shkurt të vitit 2002, me përballjen tashmë historike në arkivat televizive: Nano-Berisha. 

 Në qershorin e 2017-s, 15 vjet më pas, kryetari i Partisë Demokratike në mënyrë të përsëritur fton rregullisht kryeministrin Rama në një përballje publike, derisa diçka duhet se e ndal hovin ftues. Kryetari i Partisë Socialiste e refuzoi. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Petrit Vasili, e përqafoi idenë e debatit publik, edhe pse i paftuar nga asnjë prej dy palëve dhe, njëherazi, në vijim të një kundërpërgjigjeje ndaj toneve të ashpra mbi LSI-në, hapi sfidën për vetë kryetarin e opozitës z. Basha. Pas kësaj ftese, kryetari i Partisë Demokratike as nuk e ka përsëritur ftesën e përballjes publike për z. Rama e as nuk i ka dhënë një përgjigje gatishmërisë së z. Vasili për një ballafaqim programor. Deri më tani kaq. A vlen që me kaq të lihet paq? Asesi!

Lipset një detyrim ligjor për ballafaqim programor në televizion kombëtar të kandidatëve kryeministrorë: Të paktën dy herë përgjatë një fushate zgjedhore, në prag të hapjes dhe pranë mbylljes së fushatës elektorale. Parimi është një dhe i vetëm: Klasa politike i detyrohet shoqërisë një ballafaqim publik të alternativave.

Ky rregullim duhet bërë ligjor: Kandidatët për kryeministra takohen publikisht në televizionin publik kombëtar dy herë përgjatë një fushate zgjedhore. Kryesuesit e listave të kandidatëve për deputetë nëpër qarqe takohen publikisht dhe detyrimisht në televizionin publik kombëtar më së pakti një herë përgjatë fushatës zgjedhore. Kandidatët për kryebashkiakë detyrimisht përballje dy herë përgjatë fushatës, një herë në televizionin publik kombëtar dhe një herë në televizionin më të madh lokal. Kryekëshilltarët e listave partiake përballje të detyruar më së pakti një herë në televizionin më të madh lokal përgjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve lokale.

Alternativat qeverisëse përmirësohen kur vihen mbi flakën e debatit jo domosdoshmërish të zjarrtë. Publiku informohet drejtpërsëdrejti dhe interesi publik ushqehet bio. Interesi publik i mbivendoset atij parcialist të partive dhe kryetarëve të tyre.

Në kushte krejt të tjera nga sa propozoj, sot kandidati për kryeministër përzgjedh emisione të instrumentalizuara përballë rrezes së tij të pushtetit. Kandidati për kryeministër përzgjedh studio televizive që e vendosin përballë analistëve që rrogëmëkoten në administratë publike. Stafet e kandidatit për kryeministër servirin videomontimet e punuara me plot kujdes propagandistik nga zyra përgjegjëse e marrëdhënieve publike. Kandidati për kryeministër shpërndan qëndrime të njëanshme nga muri i faqes facebook, nga ku interaktiviteti konsiderohet luks e në rast kritikash të përsëritura, pyetjet thellësirrahëse dhe skepticizmave të ngurta, kujdestarët e llogarive kujdesen që komenti të fshihet e, në disa raste, edhe që komentuesi të bllokohet. Kandidati për kryeministër shfaqet vetëm në takime me militantët e forcës së tij partiake, pa pengesa dhe plot lehtësira, pa pyetje dhe plot hovacione e tone entuziaste. Kandidati flet, duartrokitet dhe ikën. Më pas njërit prej kandidatëve i teket të ftojë, tjetrit të bishtnojë e refuzojë. Ngjashëm ndodh edhe në garën mes deputetëve brenda qarqeve. Ngjashëm ndodh edhe në garat për kryebashkiakë e këshilltarë.  

Struktura e tanishme, ngritur mbi dheun e paqëndrueshëm të mosdebatimit të alternativave, në rrafshin e sipërm të garës kryeministrore ushqen arrogancën, në rrafshe më të ulëta, nivel deputetësh e kryebashkiakësh, ushqen kukulluzimin, ushqen të pagojët, të pamendët dhe ide-shterpët. Më së pakti, le t’i detyrojmë të zgjedhurit tanë që, mëngjesin e parë të zgjimit me ambicie politike, të ndjejnë më së pakti shtrëngimin dhe detyrimin që të mendojnë, dinë dhe gjejnë ç’të na thonë për ç’mendojnë, ç’duan e ç’dinë të bëjnë. Më së pakti ti çlirojmë të zgjedhurit nga heshtja, që të shpëtojmë një herë e përgjithnjë nga zhurma e keqqeverisjes.

Për t’i ikur një herë e përgjithmonë këtij fataliteti, duhet detyrim ligjor për ballafaqim mes palëve. Kandidatët duhen shpënë me detyrim në përballje publike. Në të gjitha nivelet. Një kandidat i pazotë të mbrojë bindjet apo, për më tepër, arritjet e shumëpretenduara, nuk e meriton magjinë e garës, aq më pak magjinë e votës që fsheh pushtetin brenda kutizës.