VIDEO/ LSI: Rilindja e Ramës është ndërmarrja më e madhe e drogës në Europë

Lëvizja Socialiste për Integrim është hedhur në sulm frontal ndaj Edi Ramës. Duke folur për takimin e djeshëm të Ramës në Berat, deputetja Silva Caka ka akuzuar kreun e PS-së se ka frikë nga vota e lirë dhe se zonjat e nderuara të PS-së i largoi nga partia për ti zëvendësuar me vajzat e reja të korridoreve të Rilindjes.

Në një deklaratë për mediat, Caka tha se Edi Rama është kapur nga paniku dhe frika e rritjes së LSI-së.  Ajo tha se akuzat ndaj LSI po orkestrohen nga Edi Rama dhe njerëzit e tij. Caka akuzoi Ramën se po inskenon blerje vote në Berat dhe po urdhëron policinë që të sajojë arrestime me qëllim goditjen e LSI-së.

Deputetja e LSI-së hodhi akuza të ashpra për kanalizimin e vendit. “Pasi gënjeu socialistët duke u thënë se nuk e ka fajin zullumi i tij me pushtetin, por na e paska fajin LSI-ja që është në koalicion. Kjo alibi e tij është e mjerë dhe e pashpresë. Problemi i tij është se është tmerruar nga vota e lirë. Ai nuk pranoi zgjedhje me Ben Blushin dhe jo më me gjithë aktorët në garë”,- tha Caka.

Deputetja e LSI sulmoi ashpër Ramën duke e akuzuar se “rilindjen e ktheu në ndërmarrjen me të madhe në Europë”.

Një ditë më parë, në Berat kryeministri Edi Rama akuzoi LSI-në si përgjegjëse për keqqeverisjen e Partisë Socialiste. Sipas Ramës, edhe pse ai ka drejtuar qeverinë 4 vjet, nuk ka bërë dot reforma për shkak të aleatëve.

Ky qëndrim është përsëritur shpesh nga Edi Rama gjatë ditëve të fundit, aq sa duket se Qeverinë e ka pasur LSI dhe jo Partia Socialiste që fitoi zgjedhjet e vitit 2013. Pavarësisht se asgjë e tillë nuk është e vërtetë, Rama po kërkon votat sikur nuk ka pasur lidhje me qeverinë, korrupsioni, kanabisin etj. Kur në fakt, shumica e problemeve të këtij mandati kanë ardhur nga PS-ja.

Pjesë nga deklarata e Silva Cakës:

Kryepolici i Rilindjes, Edi Rama, erdhi dje në Berat i qartë në qëllimine tij për të provokuar, i tmerruar nga rritja dhe forca që LSI dhe rinisë në qarkun e Beratit.

I frikësuar ai deklaroi dje se LSI heq gratë socialiste nga puna ndërkohë që gratë socialiste, ai më shumë se çdokush, i ka injoruar me mosmirënjohjen e tij dhe me arrogancën e tij duke i zëvendësuar kudo me vajzat e korridoreve të Rilindjes.

Gra me vlera socialiste dhe zonja të vërteta të së majtës u fshinë pabesisht nga listat e PS-së dhe u zëvendësuan nga vajzat e korridoreve të Rilindjes dhe biznesmenët tenderxhinj.

Pasi u ktheu krahët socialistëve të thjeshtë për katër vite me radhë dhe u dha gjithë pushtetin, oborrit të tij të Rilindjes, ai kujton se mund të mashtrojë për të dytën herë socialistët duke i thënë se nuk e ka fajin zullumi i tij me pushtetin dhe përbuzja e tij ndaj tyre, por e paska fajin LSI-ja që është në koalicion!

Kjo alibi e tij është e mjerë dhe e pashpresë!

Problemi i tij i madh është se ai është i tmerruar nga zgjedhjet e lira dhe vota e lirë. Ai ishte njeriu më i frikësuar të bënte zgjedhje brenda PS me rival Ben Blushin e jo më të pranojë zgjedhje të lira.