Axhenda e shpopullimit sapo ka nisur

Nga Ruel Domi

Në një vizitë në Shqipëri disa javë më parë, Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni vizitoi kampin e refugjatëve në Gjader të Lezhës. Gjatë inspektimit të kampit ku 3,000 refugjatë Afrikanë do të mbahen, Meloni gjeti rastin të mbrojë Kryeministrin Rama dhe projektin për kampin e Gjadrit. “Do të jenë operative nga 1 gushti 2024. Do ta realizojmë me sukses.

Muajt e vonesës janë shkaktuar për shkak të terrenit disi të vështirë në Gjadër”-tha Meloni gjatë intervistës me gazetarët. Kur flitet për sukses, të vetmët individë të fituar nga kjo marrëveshje janë Giorgia Meloni dhe Edi Rama, sepse Shqipëria dhe Italia nuk perfitojnë asgjë. Në njërën anë, Meloni i mbush mëndjen italianëve të djathtë se Italia nuk do të mbajë pa fund emigrantë të paligjshem dhe se paska vënde si Shqipëria qe janë të gatshme të mirëpresin botën e tretë. Per këtë arsye, marreveshja me Ramën i volitet.

Nga ana tjetër, kryeministri Rama, që sic duket i ka “zgjidhur” problemet si largimi i rinisë, varfëria, korrupsioni kapilar, krimi i organizuar etj, ka menduar “të ndihmojë” dhe fqinjin tonë matanë detit Adriatik “të zgjidhë” problemet e veta. Me hapjen e kampit të Gjadrit, Rama kërkon t’a portretizojë veten e tij si “lider europian” i një vendi europian.

Është e kuptueshme që marrja e refugjatëve as nuk tregon që Shqipëria është vend më standardet e Bashkimit Europian dhe as nuk tregon se Shqipëria ka plotësuar kriteret për anëtarësim në Bashkimin Europian. Në të vërtete, marrja e refugjatëve është tregues ose i naivitetit puritan qeveritar mbi pasojat negative që vala e emigrantëve do të sjellë për Shqipërinë, ose tregues i qëllimit për zhvendosjen e shqiptarëve nga vendi i tyre.

Shqipëria nuk po behët më e re. Sipas Eurostat, Shqipëria mbetet vëndi me numrin me te madh te azilkërkuesve per në Bashkimin Europian. Një raport i fundit i Bankës Boterore, tregon se Shqipëria po humbet 0.1% te popullsisë së saj cdo vit. INSTAT ka parashikuar se në vitin 2031, Shqipëria do të jetë afërsisht 2.7 mln banorë, afro 100,000 banorë më pak sesa shifra aktuale e 2.826 mln banorë.

Të mos harrojmë, që po sipas INSTAT popullsia e Shqipërise ka rënë me 3.9% nga viti 2011 në vitin 2021. Ndërkohë që World Population Review parashikon se me ritmet aktuale te lindjeve dhe të largimeve nga vendi, Shqipëria e vitit 2099 do të jetë vetëm 1.1 mln banorë, e afërt me popullsinë e Tiranës aktuale. Faktet janë kokëforta dhe ato e drejtojnë gishtin drejt një realiteti të frikshëm: Shqipëria po zhduket si komb-shtet.

Në të njëjtën kohë, mazhoranca socialiste e ka gjetur “zgjidhjen”. Muajin e kaluar u publikua në media marrëveshja e Ministrisë së Ekonomisë per importimin 40,000 punëtorëve filipinas si përgjigje e kërkesave për krah pune të sipërmarrjes shqiptare. Në fakt, zgjidhja duhet të jetë rritja e rrogave ne sektorin privat që stimulohet nga politika si taksat e ulëta qe i mundësojnë sipërmarrjes rritjen e pagave pa prekjen e marzheve te fitimit.

Pra importimi i të huajve për të zëvendësuar shqiptarët nuk është zgjidhje. Rritja e pagave ne sektorin publik, stimulimi i politikave që nxisin rritjen e pagave në sektorin privat, lufta ndaj korrupsionit, klientelizmit dhe patronazhizmit janë zgjidhja reale që i mban shqiptarët në vendin e tyre. Ne këtë analizë shkak-pasoje, lind një pyetje: A ka një axhendë për shpopullimin e Shqipërisë? Me fjalë të tjera, a është largimi i shqiptarëve pasojë e globalizimit apo po nxitet nga faktorë të tretë?

Shpërngulja e shqiptarëve nga trojet e tyre është një plan i vjetër serb i hartuar nga krimineli serb Vaso Cubrilovic. I njohur si ‘plani i Cubrilovicit’, ky dokument përcaktonte hapat qe aparati shtetëror serb i para luftes së parë botërore do të ndiqte per të kolonizuar Kosoven dhe për të aneksuar Shqipërinë Veriore. Në këtë dokument, Cubriloviq pranon se strategjia serbe e kolonizimit të tokave shqiptare nuk ka funksionuar dhe se e vetmja mënyrë për të grabitur tokë shqiptare do ishte nxitja e largimit të shqiptarëve nga trojet e tyre.

Të thuash që qeveria aktuale serbe nuk e ka këtë qëllim dhe nuk gëzohet kur shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës lënë trojet e tyre ne ritme sirianesh, është naivitet i pastër. Si duket, Cubrilovic i ndihmuar nga keqqeverisja e mazhorancës aktuale si dhe nga importimi shqiptarëve nga vende të BE si Gjermania apo Franca, po ja arrin qëllimit: zbrazjen e Shqipërisë nga shqiptarët.

Pyetja e fundit qe lind është: Si zgjidhjet kjo situatë? Si ndalohet ‘hemorragjia’ e shqiptarëve nga Shqipëria? Lufta ndaj korrupsionit, narkoshtetit dhe klientelizmit janë parakushte por kjo nuk mund të jetë zgjidhja e vetme. Shteti shqiptar duhet të nisë politikat stimuluese për kthimin e emigrantëve shqiptarë në vendin e tyre si dhe politika që ndalin largimin e shqiptarëve nga vendi i tyre. Zëvendësimi i shqiptarëve me të huaj nuk është zgjidhja. Mbajtja e shqiptarëve ne Shqipëri është.