Kreu i Bashkisë Pukë dhunon kreun e grupseksionit të PD, reagon selia blu: Të dalë para ligjit

Partia Demokratike ka dënuar dhunimin e kreut të grupseksionit të PD dhe shtabit të fushatës së demokratëve në këtë zonë, Demir Hyseni.

Përmes një njoftimi për mediat, PD thotë se Hyseni ka qenë vazhdimisht nën kërcënimet e kryetarit të Bashkisë së Pukës Gjon Gjonaj, ndërkohë që sot është dhunuar edhe biznesi i tij.

PD kërkon që kryebashkiaku i Pukës të dalë para ligjit dhe të hetohet nga autoritetet.

Reagimi i Partisë Demokratike:

Partia Demokratike dënon dhunën e ushtruar sot nga kryetari i Bashkisë së Pukës, Gjon Gjonaj dhe veglat e tij, ndaj kryetarit të grupseksionit të PD dhe shtabit të fushatës, Demir Hyseni.

Demir Hyseni ka qënë vazhdimisht nën presionet dhe kërcënimet e kryetarit të Bashkisë Pukë, që është në fakt një mercenar i Frrokut, por sot, me nisjen e fushatës elektorale, është bastisur dhe dhunuar prona e funksionarit demokrat.

Pa marrë në konsideratë dokumentacionin e Hysenit që tregon ligjshmërinë e aktivitetit të tij, Kryetari i Bashkisë së Pukës, ka urdhëruar shkatërrimin e biznesit të Hysenit thjesht për motive politike.

Partia Demokratike i kërkon qeverisë dhe autoriteteve të ndërhyjnë menjëherë dhe të vënë para përgjegjësisë ligjore kryetarin e Bashkisë Pukë, dhe cdo polic që është bërë pjesë e urdhërave të paligjshëm dhe politik.?