FOTO/ ‘10 mijë euro ose të publikova fotot intime’, lihet në burg ‘i forti’ nga Tropoja

"Arrest me burg" është masa e dhënë sot nga Gjykata e Krimeve të Rënda për Taulant Necajn, i cili i ka vënë gjobë 10 mijë euro një gruaje nga Shkodra, duke e kërcënuar me publikin e fotove intime.

Masa e sigurisë e dhënë nga gjykata përputhet me kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që e akuzon të riun për veprat penale: “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, “Kundërshtimit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Shkatërrimit të pronës”.

27-vjeçari lindur në Tropojë dhe banues në Laprakë, Tiranë, u arrestuar tre ditë më parë në kryeqytet.

Arrestimi

Në bazë të referimit të Policisë së Shkodrës, Prokuroria për Krime të Rënda ka nisur veprimet proceduriale dhe është punuar për identifikimin dhe shoqërimin e këtij personi të dyshuar, njofton Prokuroria.

Në datë 30.05.2017, nga veprimet procedurale, i dyshuari për “gjobvënie”, i cili deri në atë moment nuk ishte identifikuar, rezultoi se po qarkullonte me automjet “Tuareg” në zonën e “Don Boskos”, në drejtim të rreth-rrotullimit të “Zogut të Zi”, në Tiranë.

Në bazë të këtij informacioni, patrullat e përgjithshme të policisë e kanë parë dhe i kanë bërë shenjë të ndalojë. Patrulla e Policisë, me uniformë të rregullt, pasi mjeti ndaloi, i ka kërkuar të ushtrojnë kontroll. Në këtë moment, drejtuesi i jep gaz dhe lëviz në trotuar , me pas në rrugë, në krah të kundërt të rrethrrotullimit të Zogut të Zi, lëvizje në sens të kundërt, duke goditur disa mjete, duke kundërshtuar , punonjës policie të patrullës së përgjithshme dhe Qarkullimit Rrugor.

Menjëherë në ndjekje janë vënë forcat e Shërbimit të Forcës së Posaçme dhe Operacionale të cilat kanë bërë të mundur pas ndalimit të automjetit Tuareg, ndjekjes me këmbë kapjen dhe arrestimin në Rrugën Pandi Dardha, në “Market Q.....” të Tauland Neçajt.

Makina e sekuestruar

Hetimet

Bazuar në veprimet procedurale të Prokurorisë për Krime të Rënda, rezultoi se i dyshuari, duke filluar nga data 19 Maj 2017 ka tentuar të komunikojë në rrjete sociale me një shtetase nga Shkodra. Në mesazhet në rrjete sociale, rezulton se i dyshuari fillimisht i ka shkruar të dëmtuarës për njohje dhe më tej, e ka kërcënuar se, nëse nuk do t’i japë 10 mijë euro, ai do të publikojë disa foto intime të të dëmtuarës.

E dëmtuara është paraqitur në Policinë e Shkodrës, e cila referoi rastin në Prokurorinë për Krime të Rënda.

Në vijim, nga veprimet proceduriale, rezultoi se personi që bënte kërcënimin ishte në Tiranë. Duke ndjekur rastin në dinamikë, nga ana e Prokurorisë u përcaktua vendi se ku lëvizte i dyshuari dhe u njoftua Policia për të kryer veprimet në terren, me qëllim identifikimin dhe shoqërimin e këtij personi për të sqaruar situatën.

Pas arrestimit të tij në flagrancë, nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda u krijuan dyshime të arsyeshme, në bazë të provave, që shtetasi Taulant Neçaj është personi që ka shtrënguar kallëzuesen nga Shkodra për t’i dhënë 10 mijë euro. 

/SYRI.net/