Lulzim Basha sqaron listat e PD: Pse largova Topallin, Bregun, Patozin...dhe pse lashë Sali Berishën

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është shprehur se askush nuk është i përjetshëm në politikë dhe për këtë arsye listat e PD-së kanë pësuar ndryshime.

I ftuar në emisionin “Top Story” të Sokol Ballës, Basha u pyet nëse me këto lista shfrytëzoi mundësinë për të larguar zërat kritikë ndaj tij, sikurse janë Jozefina Topalli, Majlinda Bregu etj. Këto deklarata të bëra në media, Basha i sqaroi përmes dy pikave.

“E para, kjo është një fabul e ndërtuar nga persona të interesuar. Fakti që janë jashtë liste nuk tregon që unë jam hakmarrës. E dyta është që nuk erdhi dikush t’i zërë vendin dikujt tjetër. Askush nuk është i përjetshëm në politikë, ka ardhur koha që të promovohen njerëz të rinj. As unë nuk do të jem i përjetshëm”, tha Basha.

I pyetur nga gazetari Balla përse Sali Berisha është në listat e PD-së duke qenë se pjesa më e madhe e ish-ministrave të Qeverisë Berisha u lanë jashtë, Lulzim Basha tha: “Sali Berisha vjen aty si një kandidat i larguar nga të gjitha funksionet drejtuese. Në këtë kuptim mund ta shikosh si një simbolikë të PD si një njeri që ka dhënë kaq shumë për demokracinë dhe absolutisht që ai ka një vend në listë si një deputet i thjeshtë i PD”.