A po e tërheq Rama, Bashën drejt Berlinit e larg Uashingtonit?

Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit Hoyt Brian Yee, i ashtuquajturi ‘Buldozeri’, pritet të vizitojë vendin tonë përsëri në ditët në vijim. Vizita e tij vjen pak çuditshëm, kur pikat e nxehta të konflikti politik si bojkoti i zgjedhjeve nga ana e opozitës, çadra e lirisë dhe vettingu tashmë janë zgjidhur. Aq më tepër kur vetë zoti Yee është në detyrë vetëm edhe për 3-4 javë. Duke ditur që vizita e tij nuk është ndonjë tur falënderimesh, arsyet e ardhjes se tij me nxitim para se të lërë detyrën dhe para datës së zgjedhjeve në Shqipëri janë shumë intriguese, megjithëse jam i sigurtë që zoti Rama dhe zoti Basha i dinë paraprakisht këto arsye.

 Me datë 17 maj të këtij viti, Komiteti i Politikës së Jashtme në Kongresin Amerikan mbajti një seancë dëgjimore mbi situatën ne Ballkan. I thirrur për të dëshmuar, ZëvendësNdihmës Sekretari Hoyt Yee bëri një deklaratë të çuditshme dhe të pa precedentë; ai u shpreh se Byroja e Euro-Azisë në Departamentin e Shtetit nuk kishte koordinuar politikat e saj për Ballkanin me Administratën e Presidentit Trump!

Me poshtë linku i seancës dëgjimore:

 https://foreignaffairs.house.gov/hearing/subcommittee-hearing-balkans-threats-peace-stability/.

Në një ngjarje pa asnjë lidhje me çfarë thamë më sipër, Kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh në një tubim elektoral se Gjermania dhe Europa nuk mund të mbështeteshin më tek fuqitë e jashtme, duke nënkuptuar SHBA-të, porse Europa do të duhej të merrte vetë fatin e saj në dorë. Pavarësisht, se Kancelarja Merkel po i referohej takimit të G7 në Siçili, pavarësia të cilës i referohet Mekel nuk është ajo politiko-ekonomike, por ushtarake, dhe lidhet drejtpërsëdrejti me NATO-n, dhe mbrojtjen europiane. Fakti që Aleanca e NATO-s është 70-vjeçare dhe Presidenti Trump ka vetëm 4 muaj në detyrë, tregon qartë që nuk janë amerikanët ata që po braktisin Europën, por është Kancelarja Merkel ajo që po shtyn Europën të braktisë NATO-n.

Kjo bëhet edhe më evidente, tani që Britania e Madhe nuk do të jetë më pjesë e Bashkimit Europian duke humbur veto-n e saj ndaj krijimit të një force mbrojtëse europiane jashtë NATO-s. Sekretari i parë i Përgjithshëm i NATO-s, Lordi Hastings Isamy (vitet 1952-57) ka qenë shprehur se “NATO ishte krijuar për ti mbajtur amerikanët brenda, ruset jashtë, dhe gjermanët poshtë”. Çuditërisht ose jo, në mbështetje të tezes së Merkel u shpreh edhe kundërshtari i saj social-demokrat Martin Schulz. Me një gjerman (me origjinë) në Shtëpinë e Bardhë, duket se bota është e vogël për dy gjermanë. Marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe SHBA-ve kane qenë për 70 vite shtylla kurrizore e marrëdhënieve euro-atlantike. Duket se urrejtja reciproke midis Trump dhe Merkel ushqehet edhe nga miqësia midis Merkel dhe Obama (marrëdheniet më miqësore të dy liderëve në historinë e marrëdhënieve SHBA-Gjermani). Nuk është vetëm urrejtje midis dy individëve, por përplasje edhe midis dy filozofive të ndryshme. Marrëdhënie që si pasojë do të ketë distancimin e këtyre dy vendeve nga njëri-tjetri.

Duke u rikthyer në Shqipëri dhe rajon, duhet të theksojmë se gjatë dy mandateve të Presidentit Obama, prania politike dhe diplomatike amerikane në Ballkan ishte shume e vakët dhe erdhi duke u shuajtur, duke i lënë vend rritjes se influencës gjermane. Vetë Kancelarja e mori si nisme personale të veten, marrëdheniet me Ballkanin duke synuar që nëpërmjet të ashtuquajturit ‘Proces i Berlinit’ vendet e rajonit të mbaheshin të angazhuara në marrëdhëniet me Unionin, por edhe me njeri-tjetrin si mekanizëm i shuarjes së konflikteve. Në funksion të kësaj politike, por edhe me synimin afat-gjatë që këto vende një ditë të anëtarësoheshin në Bashkimin Europian, Gjermani e Merkel ndërmorri një nismë konfidenciale  dhe nën tavoline për krijimin e një hapësire doganore (fillimisht) pan-ballkanike, që më vonë do të çonte në krijimin e një njësie politike ballkanike –Jugosllavinë e Re- e cila më pas do të mund të anëtaresohej në BE, kur dhe nëse vetë BE-ja të ishte në gjendje ti pranonte. Deri atëhere, këto vende do të ndërmerrnin një sërë hapash të brendshëm, në fushën e ekonomisë, rendit dhe sigurisë, luftës ndaj krimit dhe kriminalitetit dhe në veçanti luftën ndaj korrupsionit, nga ku mori shkas edhe e ashtuquajtura Reforma e madhe në Drejtësi. Në Shqipëri u quajt një herë Reforma në Drejtësi, pastaj Vetting, në Maqedoni nisi të realizohej nëpërmjet Prokurorisë Speciale, ndërsa në Kosove pritet të realizohet nën ombrellën e Gjykatës Speciale. Për të bërë të mundur të gjitha këto, Berlini dhe si pasojë edhe Brukseli insistuan në krijimin e një konsensusi të gjerëlokal për realizimin e të ashtëquajturave reforma të mëdha, dhe si pasoje çuan në qeveri me bazë të gjerë në Serbi midis Vuçiç dhe Daçiç, në Kosovë midis LDK dhe PDK, si dhe në Maqedoni në mënyrë të sforcuar me qeverinë teknike të pas skandalit të përgjimeve. Është krejt evidente se të tre këto projekte dështuan. Rasti me tipik është ai i Kosovës, ku për shkak të koalicionit të sforcuar, jo vetëm që nuk u arritën objektivat e caktuara nga Berlini dhe Brukseli si

i) marrëveshja e asociim-stabilizimit,

ii) liberalizimi i vizave,

iii) demarkacioni,

iv) gjykata speciale, por vendi ka shkuar në zgjedhje të parakohshme, dhe partia e madhe e Ibrahim Rugovës rrezikon të dalë forcë e tretë.

Kur Hoyt Yee planifikoi vizitën e majit në Shqipëri, synimi i tij ishte të kuptonte se çfarë po ndodhte dhe nuk pretendonte të futej në brendësi të konfliktik politik. Pasi i deleguari i Kancelares Merkel, McAlister dështoi të binde Bashën të pranojë ofertën e tij të zgjidhjes, vizita e Hoyt Yee mori një rëndësi të veçantë. Ai mori avionin për Tiranë ‘me shkopin dhe jo karrotën’ ndaj Bashës. Situata ndryshoi kur në mënyrë të papritur, ndërkohë që kishte zbritur në Tiranë, i erdhi një telefonatë e gjatë nga kati i 7 i ‘Foggy Bottom’. Jo vetëm që Basha nuk u ndëshkua, por me ndërhyrjen dhe kërcënimet e njerëzve të Administratës së re të Presidentit Trump, Kryeministri Rama u detyrua të pranonte marrëveshjen McAlister +.

Rama u detyrua të pranonte marrëveshjen që tashmë e njohim të gjithë, me shpresën se lobistët e tij të rinj dhe shumë të fuqishëm (të cilët paguhen 11 herë më shumë se kontrata e bërë publike) do të mund ti siguronin një takim të shkurtër me Presidentin Trump gjatë samitit të javës së shkuar të NATO-s. Pavarësisht lidhjeve të fuqishme të lobistëve të Ramës me administratën e re, përgjigja zyrtare që u erdhi ishte ‘not in a million years-jo në nje million vjet’! duke shtuar se deklaratat e Ramës kundër Presidentit Trump ishin transkiptuar dhe bërë pjesë e dosjes personale të Presidentit me informacione për liderët pjesëmarrës ne samitin e NATO-s.

Ndërkohë që është e qartë dëshira e Kancelares Merkel si protektore e deritashme e Ballkanit, për një koalicion pas-zgjedhor midis PD dhe PS, zyrtarët e lartë të ardhshëm amerikane (të cilët presin konfirmimet në Senat në 2-4 javët e ardhshme), nuk kanë nguruar që të shprehen privatisht kundër një koalicioni të tillë. Takimi bilateral i Presidentit Trump me presidentin Italian Mattarella (jo ai me kryeministrin Gentiloni) pritet të ketë ndikim edhe në zhvillimet e ardhshme politike në këtë anë të Adriatikut.

Duke ju rikthyer, deklaratës së Hoyt Yee në Kongresin amerikan të cituar më lart, dhe në këtë situatë, vërtet që vizita e tij me ngut ngre shumë pikëpyetje: A ka kërkuar njëri-ndonjë vulë amerikane për marrëveshjen e madhe??

SYRI.net