Dashamir Shehi kundër Topallit dhe Imamit: Po para meje që ka shumë fëmijë, duhet t’i kërkoj dorëheqjen Bashës?

Kryetari i LZHK Dashamir Shehi dhe aleati i Lulzim Bashës është shprehur kundër Jozefina Topallit dhe Arben Imamit, që kërkuan dorëheqjen e Lulzim Bashës pasi nuk u vendosën në listat e PD.

Në një reagim në Facebook-un e partisë që ai drejton, Dash Shehi thotë se nuk është aspak e ndershme që Basha të sulmohet nga deputetët e tij gjatë fushatës elektorale.

Reagimi i LZHK:

Nuk më duket korrekte. Ata kanë ndenjur aty për aq kohë dhe mund ta kishin marrë këtë nismë përpara. Çfarë kuptimi ka që në ditën që ne kemi dalë në fushatë ndërmarrin një lëvizje për të shkarkuar kryetarin? Këtu kanë rënë të gjitha principet e politikës. S’ka asnjë logjikë të kërkosh shkarkimin e kryetarit në ditët e fushatës. Nuk më duket aspak korrekte nga ana morale politike.

Këta njerëz duhet të presin rezultatin zgjedhor, sepse mundet që z.Basha të ketë të drejtë. Të kërkosh të shkarkosh kryetarin se nuk të ka futur në listë, nuk ka shumë moral. Askush nga ne nuk ka lindur me karrige deputeti. Edhe mua më kanë vendosur të 11-­in në listë, më kanë parakaluar shumë fëmijë, njerëz që e di gjithë Shqipëria që nuk kanë vlerën time politike, por kjo s’do të thotë të kërkoj shkarkimin e Bashës.

Më duket sikur këta zotërinj e kanë marrë pa shumë sportivitet këtë punë. Kush ka vlerë politike do të qëndrojë në politikë, është apo jo në listën e Lulzim Bashës.