UNRWA: Rreth 110 000 banorë janë larguar nga Rafahu

Rreth 110 000 banorë janë larguar nga Rafahu, në jug të Rripit të Gazës që kur ushtria izraelite mori nën kontroll pikën kufitare në qytet, tha sot Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punët për Refugjatët Palestinë në Lindjen e Afërt (UNRWA).

“UNRWA vlerëson se rreth 110 000 njerëz kanë ikur nga Rafahu duke kërkuar siguri”, tha agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë në një postim në platformën X.

“Por, asnjë vend nuk është i sigurt në Rripin e Gazës dhe kushtet e jetesës janë mizore”, tha OKB.

“Shpresa e vetme është një armëpushim i menjëhershëm”, thuhet në postim.

Sipas autoritetit kufitar palestinez, vendkalimi kufitar i Rafahut me Egjiptin mbetet i mbyllur për dërgesat e ndihmave humanitare.

Ushtria izraelite tha se trupat ishin ende të dislokuara në lindje të Rafahut dhe në Al-Saitun në qendër të Rripit të Gazës.

Të hënën, ushtria izraelite u bëri thirrje banorëve të pjesës lindore në Rafah që të largoheshin nga zona.

Më shumë se 1 milion persona të zhvendosur brenda vendit thuhet se jetojnë në Rafah.

Partnerët perëndimorë të Izraelit, kryesisht SHBA-ja, kanë paralajmëruar qeverinë izraelite për rrezikun e operacionit ushtarak në shkallë të gjerë në Rafah për shkak të pasojave të pritshme dramatike humanitare.

Pas masakrave në Izrael më 7 tetor, Izraeli kërkon të shkatërrojë plotësisht lëvizjen islamike palestineze Hamas, liderët e së cilës dyshon se fshihen në tunele nën Rafah, ku me sa duket mbahen edhe pengjet izraelitë.