TABELA/ Monedha europiane në pikiatë. A po hidhet euro në treg për të blerë votat?

Euro zbriti në nivelin më të ulët të 9 viteve të fundit, kundrejt lekut shqiptar duke shënuar një tjetër minimum të ri historik. Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se  monedha europiane ka rënë në 134.14 lekë. Ky është niveli më i ulët që nga gushti i vitit 2009.

Agjencitë e këmbimit thonë se në treg ka ofertë të lartë me euro. Sipas tyre, veçanërisht së fundmi është vënë re një rritje e këmbimeve në shuma të vogla deri në 500 euro. Dhe kjo mund të jetë e lidhur me fushatën elektorale. 

Hashtag.al publikoi mesazhin e një deputeti të maxhorancës, i cili premtonte 500 euro për votuesit 18 vjeçar. Megjithatë blerja e votës në Shqipëri është një fenomen masiv, i cili nuk kufizohet vetëm tek ata që votojnë për herë të parë. Por a po përdoren paratë e drogës për të blerë votat duke zhvlerësuar më tej euron në tregun vendas? Dyshimet janë të forta. 

Pikiata e euros

Pikiata e euros në tregun shqiptar nisi veçanërisht në tetor të vitit të kaluar. Ndonëse fillimisht dobësimi i monedhës europiane u interpretua si i përkohshëm dhe i lidhur me zhvillimet në tregjet e huaja, më vonë rezultoi se tronditjet e kursit të këmbimit kishin një tjetër shkak, eksportet e drogës.

Zhvlerësimi dramatik i euros në tregun vendas ka vënë në vështirësi institucionet publike që duhet të shpjegojnë shkaqet e saj. Pak javë më parë Banka e Shqipërisë deklaroi se zhvlerësimi lidhet me ofertën e lartë të eurove në treg, që sipas saj kanë ardhura nga eksportet dhe flukset turistike.

Por për shumë ekspertë ky shpjegim nuk është bindës, pasi sipas tyre, flukset e ligjshme tregtare nuk e justifikojnë zhvlerësimin e fortë të euros ndaj lekut. Sipas tyre, ajo që po ndodh në tregun valutor, është pasojë e drejtëpërdrejtë e rritjes së parave që vijnë nga aktivitetet e jashtëligjshme, më saktësisht drogës.

kjo u konfirmua edhe nga shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Tiranë, i cili deklaroi se edhe pse nuk ka numra të saktë partnerët ndërkombëtar flasin për rritje të ndjeshme të dërgesave të drogës nga Shqipëria.

SYRI.net