Debati për kandidatët, Basha në Berat: Listës nuk i heq asnjë presje

Kreu i PD-së, Lulzim Basha është shprehur paraditen e sotme se bërja e listave të kandidatëve për deputetë, ishte një vendim i vështirë, por që nuk i heq asnjë presje. Deklarata janë bërë paraditen e sotme në qytetin e Beratit.

“Para dy ditësh më është dashur të marr të tjera vendime të vështira por të domosdoshme për ekipin fitues të Republikës së re, ishte koha për t’i marrë, unë i kam marrë dhe nuk i heq as presjen, një ekip i ri me frymëzim të ri për Republikën e Re ku do ta gjejë veten çdo shqiptar”- u shpreh Basha.

Basha i ka bërë thirrje beratasve dhe gjithë shqiptarëve të marrin vendimin e duhur në 25 qershor.

“Merrni vendimin tuaj, bashkohuni me projektin e lëvizjes popullore, për të mos ua lënë Beratin dallkaukëve, mashtruesve, hajdutëve që ju shtrydhën e ju vodhën, me 25 qershor merrni beratin në dorë me votën tuaj dhe unë do marr vendimet e mia për mirëqenien tuaj, ekonominë e fortë, për secilin prej jush”- tha ai.

 “Paratë e luksit të shatërvanëve do shkojnë për shkolla për fëmijët shqiptare. Rilindja urbane fasadat, pllakat kane kushtuar miliarda lekë”, tha ai.

Sipas kreut të PD, opozita e bashkuar është garanci që Republika e Re nuk do të jetë pazar.

"Republika e Re është Republika e uljes së taksave, TVSH, dhe do të këtu nxitje me subvencione të drejtpërdrejta, 100 milionë euro mbështetje çdo vit për investitorët që krijojnë vende pune.

Pension minimal në krye të 4 viteve 25 mijë lekë. Paga më të larta.

Opozita e bashkuar në logon e PD është garanci qe Republika e Re s'do jetë pazar", tha Basha.