Kurti: Normalizimi i raporteve me Serbinë të mos përzihet me anëtarësimin në KiE

10 ditë para mbledhjes së Komitetit të Ministrave ku pritet të votohet “për ose kundër” anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin diplomatët e shteteve të Quintit, i tha “JO” kërkesës së Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, Jim O’Brien, Presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe Kancelarit Federal të Gjermanisë, Olaf Scholz, për hapa konkretë nga qeveria e Kosovës drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe si kusht për t’iu bashkuar organizatës për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë.

Mesditën e së hënës, 6 maj 2024, Zyra e Kryeministrisë lëshoi një komunikatë në lidhje me takimin e kryeministrit Kurti, zëvendëskryeministri të parë, Besnik Bislimi dhe zëvendësministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, me ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Ajo që ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ambasadori francez, Olivier Guérot dhe ai gjerman, Jorn Rohde, do t'i kumtojnë O'Brien-it, Macron-it dhe Scholz-it, pritet të jetë një "shuplakë" për ta, pas thirrjeve pikërisht për të pritur një tjetër rezultat të kundërt me atë që doli nga takimi i përfaqësuesve të tyre me kreun e qeverisë së Kosovës.

“Përparim urgjent për Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe”; “në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin nga autoritetet kosovare të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”; Olaf Scholz nënvizoi rëndësinë e hapave konkretë nga autoritetet e Kosovës për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, edhe në lidhje me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, ishin tri kërkesat që ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, dhe liderët e Francës dhe Gjermanisë ia përcjellën Kurtit.

Në kontekst të këtyre zhvillimeve, Kurti citohet të jetë ankuar te përfaqësuesit e Quint-it për standarde të dyfishta ndaj Kosovës me argumentin se neni 7 i Marrëveshjes Bazike – i cili parasheh themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe – “nuk mund të nxirret nga pakoja e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit në Ohër dhe nuk duhet të vendoset si prioritet dhe në qendër”.

Argument tjetër për mos-ndërlidhjen e zbatimit të zotimeve për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në KiE është, sipas Kurtit, se Këshilli i Evropës ka të bëjë me“respektimin e drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit, vlera këto që Republika e Kosovës i përqafon”, dhe se nuk e ka selinë Bruksel por në Strasbug.

"Kryeministri kujtoi se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në Bruksel dhe jo në Strasburg; se procesi i anëtarësimit në Këshill të Evropës është çështje e respektimi të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit, vlera këto që Republika e Kosovës i përqafon", bëhet e ditur në komunikatë.

Në përfundim, Kurti citohet t'i ketë bërë thirrje shteteve aleate të Kosovës për mbështetje më 17 maj pa kushtin e progresit për themelimin e Asociacionit si pararendës i anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

“Ai i bëri thirrje shteteve aleate të Kosovës, shteteve të QUINT-it që të mbështesin anëtarësimin e Kosovës me 17 maj në përputhje me vlerësimet nga vetë institucionet e Këshillit të Evropës, dhe mbi bazën e arritjeve meritore në zhvillimin e demokracisë, të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe linjëzimit të saj me vlerat dhe qëndrimet perëndimore.” – thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.