Armiqësia Macron – Putin

Marrëdhëniet mes Presidentit të ri francez, Emmanuel Macron, dhe Moskës po fillojnë nga zeroja. Asnjë politikan francez nuk  është bërë objektiv i kaq shumë sulmeve të egra nga gazetat dhe ligjvënësit rusë.

Vladimir Putin dhe Macron patën kontaktin e tyre të parë në telefon, më 18 maj, ku Kremlini theksoi "gatishmërinë reciproke për të zhvilluar marrëdhëniet miqësore ruso-franceze në fushat politike, tregtare, ekonomike, kulturore dhe humanitare ".

Por realiteti i marrëdhënieve është shumë më i komplikuar, sidomos nëse kemi parasysh faktin se që nga nisja e fushatës, Macron është sulmuar, tallur dhe fyer në mënyrë të drejtpërdrejtë nga rusët.

Pyetja e tanishme është se cdo të ndodhë kur Putin dhe Macron të takohen në Versajë. A do të jetë në gjendje të ngjallë besimin e kreu i shtetit rus, i cili anuloi një vizitë të planifikuar në Francë, tetorin e kaluar?

Sulmet e egra të medieve ruse

“Macron është udhëheqësi më i ri i Francës pas Napoleonit - tha gazetari rus Dmitri Kisselev, në një emision televiziv-  Por krahasimi përfundon këtu, sepse Napoleoni ishte një lider i shkëlqyer. Dhe sa për Macron, askush, madje as ata pranë tij, nuk e shohin si të tillë, përkundrazi ".

Më 29 prill rrjeti televiziv rus “NTV” transmetoi një raport të gjatë duke argumentuar se rruga e Macron drejt Pallatin ‘Elysee’ ishte “shtruar me monedha” nga dinastia bankare “Rothschild". Për të demonstruar këtë pretendim, gazetari madje shkoi në një bankë, hapi një nga kasafortat, nxori një tufë të madhe parash dhe tha: "Kështu filloi e gjitha kjo."

Agjensia e lajmeve “Sputnik” ka bërë pretendime të ngjashme, duke e quajtur Macron "homoseksual "dhe “psikopat”. Ka pasur edhe raste kur mediat ruse kanë sulmuar gruan e tij, Brigitte Macron, duke e quajtur një mësuese "pedofile".

Gazeta të tjera e konsiderojnë Macron si një kukull të Gjermanisë, të cilën ai e vizitoi menjëherë pas marrjes së detyrës.

"Ai shkoi të përulej para zonjës Merkel," tha ligjvënësi nacionalist Vladimir Zhirinovsky, në një emision televiziv në “RT”(Russia Today).

A është e mundur që mediat dhe përfaqësuesit e tyre të kalojnë kufirin e vendosur nga Kremlini? Maksim Youssin, një gazetar i specializuar në politikën e jashtme beson se jo.

"Propagandistët profesionalë të Moskës nuk i prisnin deklaratat e Macron kundër Rusisë –shpjegon ai- Ata kundërsulmuan sikur zgjedhjet franceze po kërcënonin interesat vitale të Rusisë". Ata ishin veçanërisht të inatosur sepse nga katër kandidatët kryesorë, Macron ishte i vetmi që nuk i vinte në pikëpyetje sanksionet kundër Rusisë.

Evgenia Obichkina, një profesoreshë në Institutin prestigjioz të Marrëdhënieve me Jashtë në Moskë, pajtohet me të.

 "Kandidatët u vëzhguan me kujdes dhe Macron ishte më kritiku ndaj Rusise," thotë ajo.

Fakti që ai është pro-evropian, i pakapshëm, i panjohur dhe i ri mund të shpjegojë furinë e sulmeve anti-Macron në Rusi, ku ai është paraqitur si trashëgimtar  François Hollande, edhe pse marrëdhënia e tyre është përkeqësuar.

Sigurisht, Rusia ka mbetur edhe e zhgënjyer, duke pasur parasysh se Putin përkrahte fillimisht kandidatin konservator François Fillon dhe më vonë duket se u bë “mish e thua”me Marine Le Pen, aq sa Rusia ishte e sigurt se ajo do të fitonte. /Le Monde - Përshtati Syri.net/