E dhimbshme! U nxor gjallë nga barku i nënës së vrarë në Gaza, ndërron jetë foshnja

Ka ndërruar jetë në një spital në Gaza, foshnja e cila u nxor pak ditë më parë e gjallë nga barku i nënës së vrarë në një sulm ajror të Izraelit në jug të vendit.

Foshnja, ndonëse premature, u nxor e gjallë përmes një operacioni cezarian, nga barku i një gruaje palestineze në një spital në Rafah, mesnatën e së dielës.

Megjithatë, pavarësisht kujdesit të mjekëve, ajo ndërroi jetë të enjten dhe u varros pranë nënës së saj.

Foshnja Sabreen ishte në mesin e 16 fëmijëve që humbën jetën nga dy sulme ajrore në Rafah javën e kaluar. Të gjithë u vranë nga bombardimi që kishte në shënjestër një bllok banimi.

Më shumë se gjysma e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh e Gazës është zhvendosur në Rafah për t’iu shpëtuar bombardimeve izraelite, të nxitura pas sulmit të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit nga grupi ekstremist palestinez, Hamas, i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. /A2