'Fituesit e magjistraturës, patronazhistë'/ Gazetari: Kapet drejtësia për 50 vitet e ardhshme
Nga Klodian Tomorri
Bëni një eksperiment të thjeshtë. Merrini nominalisht fituesit e provimit të magjistraturës dhe futini tek lista e patronazhistëve. Pjesa dërrmuese e tyre rezultojnë si votues të sigurtë të Partisë Socialiste.
Pastaj bëni dhe një kërkim të thjeshtë në 'google'. Do të rezultojë që shumica dërrmuese e tyre figurojnë si të punësuar në institucionet më politike të vendit. Juristë në ujësjellësa, koordinator informimi nëpër institucione, fëmijë e farefis vettingashësh, politikanësh e kështu me radhë.
Që votuesi i Rilindjes është më inteligjent dhe më i prirur akademikisht se sa pjesa tjetër e shoqërisë, kjo është e qartë si kristali. Ndaj këta fitojnë çdo konkurs.
Megjithatë lista e fituesve të magjistraturës është potencialisht një skenë e madhe krimi, që kap drejtësinë për 50 vitet e ardhshme.
Ndaj fillimisht duhet pezulluar nga detyra titullari i Shkollës së Magjistraturës.
Paralelisht SPAK duhet të sekuestrojë në cilësinë e provës materiale provimet e kandidatëve. Kompania që ka ofruar shërbimin elektronik të vlerësimit të provimeve po ashtu duhet të merret nën hetim derisa të sqarohet e gjitha.
Ndoshta e gjitha është një problem teknik. Ndoshta rilindasi mesatar është me të vërtetë më inteligjent se sa shqiptari mesatar.
Por një verifikim i thjeshtë nuk do t'i bënte keq askujt. Aq më tepër këtyre që kanë patur në dorë procesin e vlerësimit, të cilët kështu do të pastronin edhe çdo dyshim.