VIDEO/ Meri Lika: Taksat tona vidhen nga babëzia dhe ‘5D’ e Veliajt, ndaj edhe Ina Kasimati nuk arriti të kishte një banesë

Meri Lika, duke marrë fjalën në tubimin qytetar që zhvillohet në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha, solli në vëmendje rastin e Ina Kasimatit, aktivistes që u nda nga jeta pak kohë më parë.

Lika tha se Ina Kasimati, edhe pse kishte dhënë një kontribut prej 30 vitesh në arsim, nuk arriti të kishte shtëpinë e saj, pasi Bashkia nuk ia dha kurrë një të tillë.

“Ina Kasimati u kurua për muaj me rradhë me një ilaç që nuk I veproi, ndërsa ilaçin real që duhej të merrte, ia thanë se nuk e kishin në spital. Pra shëndetësia shqiptare e dënoi me vdekje Ina Kasimatin.

Ajo kërkoi protokollin e plotë për kurimin e sëmundjes së saj, kërkoi dinjitet. Madje ajo në postimin në rrjetet sociale, në ditën e ndërgjegjësimit qytetar kundër kancerit të gjirit, I ka drejtuar një apel ministres së Shëndetësisë dhe kurrë nuk mori përgjigje”, tha Meri Lika.

Dhe duke iu referuar Ina Kasimatit, Meri Lika u shpreh se Ina e humbi luftën me jetën e saj, por ajo na thotë se e vrau sistemi, korrupsioni, babëzia e qeveritarëve.

“Taksat e shqiptarëve vidhen nga qeveritarët e pangopur, sepse taksat tona vidhen nga drejtorët e ‘5D’ dhe nuk shkojnë për ti dhënë një shtëpi grave dhe vajzave që vuajnë nga sëmundje të tilla, si ajo e Inës”, tha Meri Lika.