Amnesty International dënon sulmin e mediave të Veliajt ndaj Ola Xamës

Amnesty International, një nga organizatat më të mëdha të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në botë, publikoi raportin për vitin 2023.

Raporti vëren si shqetësim të veçantë, gjendjen e lirisë së shprehjes dhe të mediave në Shqipëri.

Amnesty International u fokusua veçanërisht tek dhuna verbale ndaj gazetares Ola Xama, e cila u sulmua nga disa media online, që dukshëm kishin për qëllim intimidimin dhe denigrimin e figurës së saj.

‘Gazetarët u sulmuan nga figura politike, siç është Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës’

‘Erion Veliaj iu referua një gazetareje investigative, duke e etiketuar atë si ‘vrasëse me pagesë’, në kundërpërgjigje të një artikulli, në të cilin ajo kishte theksuar rolin që kryebashkiaku Veliaj ka luajtur në projektin e inceneratorit të Tiranës,’ vëren raporti i Amnesty International duke iu referuar sulmeve të mediave pro kryebashkiakut Veliaj, kundër gazetares Ola Xama.

Këto media ndërmorën një fushatë të qëllimshme denigruese e kërcënuese, për shkak të detyrës, si pasojë e shkrimeve investiguese të gazetares Ola Xama, përmes të cilave ajo ka ekspozuar përfshirjen e zyrtarëve të lartë, mes tyre edhe Erion Veliajn, në afera të rënda korruptive.