Defekti në sistem, vazhdojnë telashet për British Airways

Më shumë se një e treta e fluturimeve të kompanisë British Airways nga aeroporti i Londrës, Heathrow, është anuluar, ndërsa telashet e pasagjerëvë të shumtë kanë hyrë në ditën e dytë.

Sistemi kompjuterik i kompanisë në të gjithë globin, pësoi një defekt serioz të shtunën, duke sjellë anulime fluturimesh dhe vonesa për mijëra pasagjerë. 

Kompania tha se të gjitha fluturime e gjata jashtë vendit do të kryhen, por me vonesa. Në fakt, avionët e parë nga aeroporti janë nisur, por bëhet fjalë për ato që vonohen prej një dite, prandaj situata nuk është përmirësuar thuasje aspak. 

Për të shmangur grumbullimin e mëtejshëm të njerëzve në aeroport, kompania i bëri thirrje pasagjerëve që të kontrollojnë statusin e avionëve në internet, para se të nisen drejt Heathrow. 

British Airways i kërkoi falje njerëzve për vonesat, që pasuan një shkëputje të energjisë në sistemin e tyre të kompjuterave. Zyrtarë të kompanisë thanë se ende nuk e kanë zgjidhur problemin, por po përpiqen maksimalisht. 

Për mijërat e pasagjerëve që kanë fjetur në aeroport, justifikimet duket se nuk bëjnë punë dhe tashmë shumë prej tyre thonë se po shqyrtojnë rregulloret dhe po bëjnë gati paditë për British Airways, sipas rregulloreve të Bashkimit Evriopian, pasi Britania është ende brenda tyre.