Shtrëngimi i dorës me Trump, Macron: Nuk ishte naiv

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se shtrëngimi i fortë i dorës që pati me homologun e tij Donald Trump, nuk ishte i pafajshëm, por një moment i vërtetë.

Në këtë episod të sikletshëm, dy presidentët i shtrënguan dorën njëri-tjetrit aq fort saqë duart e tyre ndryshuan ngjyrë. Në një intervistë për mediat franceze, Macron tha se donte që të tregonte se nuk do të bënte asnjë konçension, qoftë simbolik, por gjithashtu as nuk do ta tepronte. 

Macron u takua me Trump të enjten në Bruksel, para nisjes së samitit të NATO-s. Ndërsa shtrëngimi i tyre i duarve zgjati për disa sekonda, dy presidentët u panë edhe në sy, derisa Trump tentoi të shkëputej. 

Macron deklaroi për gazetën “Journal du Dimanche” se qasja e tij ndaj këtij takimi kishte si synim fitimin e respektit. 

"Donald Trump, presidenti turk apo ai rus, i shohin gjërat në kuadër të marrëdhënieve të forcës, diçka që s'më shqetëson. Por unë nuk besoj në diplomacinë përmes kritikave publike, prandaj në takimet dypalëshe nuk lë asgjë të anashkalohet. Kështu fiton respekt”, deklaroi Presidenti francez Emmanuel Macron.