Franca merr masa kundër dhunës së adoleshentëve pas sulmit fatal mbi një nxënës shkolle

Kryeministri francez Gabriel Attal shpalli të enjten masa që godisnin dhunën e adoleshentëve brenda dhe përreth shkollave, ndërkohë që qeveria kërkon të rifitojë terrenin mbi sigurinë, të fituar nga e djathta ekstreme, këto dy muaj të mbetur para zgjedhjeve evropiane.

Franca javët e fundit është tronditur nga një seri sulmesh ndaj nxënësve të shkollave nga bashkëmoshatarët e tyre, veçanërisht nga rrahja fatale në fillim të këtij muaji e Shemseddine, 15 vjeç, jashtë Parisit.

Çështja është ngritur me forcë nga partia e ekstremit të djathtë (Rassemblement National) që e akuzon kryeministrin Attal se nuk po bën sa duhet për sigurinë ndërkohë që partia kundër imigracionit po del përpara koalicionit qeveritar në sondazhet për zgjedhjet e 9 qershorit.

Duke folur në Viry-Chatillon, qyteti ku u vra 15-vjeçari Shemseddine, kryeministri Attal dënoi "varësinë e disa prej adoleshentëve tanë ndaj dhunës", duke bërë thirrje për "një rritje të vërtetë të autoritetit... për të frenuar dhunën".

"Ka dyfish më shumë adoleshentë të përfshirë në rastet e sulmeve, katërfish më shumë në trafikun e drogës dhe shtatëfish më shumë në grabitje të armatosura sesa në popullatën e përgjithshme," tha ai, duke vënë në dukje gjithashtu rritjen e ndikimeve "islamiste".

Masat do të përfshijnë zgjerimin e frekuentimit të detyrueshëm të shkollës në të gjitha ditët e javës, duke filluar që nga ora 8:00 deri në orën 18:00 për fëmijët e moshës së kolegjeve.

"Gjatë ditës, vendi për të qenë është në shkollë, për të punuar dhe për të mësuar," tha Attal, i cili po shënonte gjithashtu 100 ditë në detyrë që kur u emërua në janar nga Presidenti Emmanuel Macron për të kthyer fatin e qeverisë.

Prindërit duhej të merrnin më shumë përgjegjësi, tha Attal, duke paralajmëruar se fëmijët veçanërisht shqetësues do të kishin sanksione të shënuara në dëftesat e tyre përfundimtare.

Duke promovuar një qasje të modës së vjetër ndaj autoritetit të shkollës, ai tha: "Ju që thyeni diçka -- ju do ta riparoni. Ju që bëni një rrëmujë - ju do ta pastroni. Dhe nëse nuk  bindeni – do t’jua mësojmë ne respektin."

Attal nxori gjithashtu mundësinë që fëmijëve në raste të jashtëzakonshme t'u mohohet e drejta për trajtim të veçantë për shkak të moshës së vogël në çështjet ligjore.

Kështu, 16-vjeçarët mund të detyrohen të paraqiten menjëherë në gjykatë pas shkeljeve "si të rriturit", tha ai. Në Francë, mosha madhore është 18 vjeç, në përputhje me Konventën e OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve.

Macron dhe Attal përballen me një luftë të vështirë për të ndryshuar situatën përpara zgjedhjeve evropiane. Sondazhet aktuale tregojnë për rrezikun e një shpartallimi të madh që do të errësonte pjesën tjetër të mandatit të dytë të presidentit deri në vitin 2027.

Një sondazh i kësaj jave nga Ifop-Fiducial e tregoi Rassemblement National me 32.5 përqind sipër koalicionit qeveritar të mbetur shumë prapa me 18 përqind./ar.sh/SYRI.NET