EMRI/ I dënuar me 12 vjet burg për drogë, arrestohet 40-vjeçari në Durrës që ishte i shpallur në kërkim

Një 40 vjeçar është kapur sot nga policia pasi ishte shpallur në kërkim. Eduart Stafhasani ishte dënuar me 12 vjet burg për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.  

Njoftimi i policisë:

Durrës/ Forca e Posaçme Operacionale, si rezultat i kontrolleve në zbatim të planit operacional “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, finalizoi operacionin e koduar "Local".

Gjatë operacionit është lokalizuar dhe kapur shtetasi Eduart Stafhasani 40 vjeç, banues në Durrës.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim kombëtar, pasi Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin e datës 22.02.2024, e ka dënuar me 12 vjet burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike", nga të cilat i kanë mbetur për të kryer 7 vjet, 5 muaj e 12 ditë.

Materialet proceduale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.