Për të mos lejuar sabotimin nga PS të komisionit hetimor për koncensionet

Dy mbledhje radhazi të komisionit hetimor parlamentar për koncesionet në shëndetësi kanë dështuar, ose, më saktë, janë sabotuar qëllimisht nga përfaqësuesi e maxhorancës.

Nuk duhet harruar se rilindësit kanë vite që mundohen ta bllokojë ngritjen e komisionit duke shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën, sepse ky komision është mundësia e vetme për të vërtetuar të gjithë ato akuza të cilat deri tani boratët i kanë etiketuar paturpësisht si "akuza politike".

Personalisht u habita kur rilindësit e pranuan ngritjen e komisionit si pjesë e marrëveshjes së fundit pozitë-opozitë. Për Partinë Demokratike dhe opozitën në tërësi kjo ishte një fitore e rëndësishme të cilën e kam përshëndetur me entuziazëm.

Por boratët nuk u dorëzuan.

Së pari, ata sabotuan përbërjen e komisionit, duke përfshirë në të dy persona me konflikt të pastër interesi. Në veçanti, Znj. Milva Ekonomi ka qënë zëvendësministre në kohën e dhënies së koncesioneve, madje edhe pjesë e vendimmarrjes. Një person i ndodhur në këto pozita nuk mund të jetë kurrsesi i paanshëm në hetim.

Së dyti, taktika e mospjesëmarrjes në mbledhjet e komisionit, i heq legjimitetin veprimtarisë së tij, pasi sipas një rregulli paradoksal, maxhoranca ka shumicën në komision.

Vonesa të tilla mund të bëjnë që komisioni të mos arrijë të realizojë qëllimet e veta në afatin që ka në dispozicion.

Së fundi, acarimi artificial që në nisje i marrëdhënieve midis anëtarëve të komisionit i hap rrugë atij që ka qënë problemi kryesor i gjithë komisioneve të ngjashme, daljes me dy raporte. Kjo përkthehet në krijimin e dy "të vërtetave", çka do të thotë relativizim i gjetjeve dhe rekomandimeve të hetimit dhe analizës së opozitës.

Ç'duhet të bëjë sot opozita sipas mendimit tim?

Së pari, duhet këmbëngulur në largimin e dy anëtarëve të komisionit që kanë konflikt interesi.

Së dyti, duhet të shtyhet afati i veprimit të komisionit për të eliminuar efektin e vonesave të krijuara.

Së fundi, duhet ndryshuar struktura e vendimmarrjes së komisionit duke i hequr boratëve të drejtën e bllokimit.

Duke ndërmarrë këta hapa, opozita do të forcojë pozitat, ndërsa qytetarët do të kenë një mundësi reale për të mësuar përgjegjësit e vërtetë të një prej kusarive më të mëdha që kanë ndodhur me taksat e tyre.

Këtë shpresoj dhe uroj të ndodhë...