Bizneset po presin të reflektohet rritja e pagës maksimale

Një pjesë e madhe e bizneseve zakonisht duhet t’i mbyllin kalkulimet e pagave të punonjësve brenda datës 31 maj, por këtë muaj ata janë në pritje të përcaktimit të pagës maksimale, teksa për pagën minimale tashmë është zyrtarizuar që ajo do të jetë 24 mijë lekë, nga 22 mijë lekë që ishte më parë.

Burime zyrtare nga tatimet  thanë se reflektimi i këtyre ndryshimeve bëhet me listpagesën e majit,  e cila deklarohet në muajin Qershor. Së shpejti tatimet pohojnë se do te nxjerrin një njoftim në web sapo të jenë reflektuar ndryshimet në sistemin e-filing.

Por, bizneset ankohen se ata duhet të njoftojnë paraprakisht punonjësit para mbylljes së muajit, pasi dhe kompanitë duhet të jenë të drejtë në dhënien e informacionit kundrejt stafit të punonjësve. Për punonjësit, që kanë negociuar me pagën bruto, rritja e pagës minimale automatikisht do të sjellë një ulje të pagës së tyre neto, pasi do t’u mbahen më shumë sigurime./Monitor