Finalja Vllaznia-Tirana, Gilman Lika kërkon mirëkuptim për ‘bojkotin’

Një zgjedhje aspak e thjeshtë dhe që e mban si nëpër gjemba. Gilman Lika e pranon që vendimi për të mos luajtur me Tiranën në finalen direkte për mbijetesë me Vllazninë mund të kryqëzohet në aspektin profesionist, por kjo është një ndeshje të cilën mesfushori thjesht nuk mund ta luajë. Pasi ka gjetur mirëkuptimin e drejtuesve të klubit dhe trajnerit Josa, 30-vjeçari kërkon edhe mbështetjen e tifozëve.

Gilman Lika

E kuptoj që nuk është profesionale, por unë nuk mund ta luaj një ndeshje ku Tirana dhe Vllaznia diskutojnë mbijetesën. Nuk është ndeshje për këto dy emra të mëdhenj. Falënderoj presidentin dhe trajnerin, të cilët më mirëkuptuan. Tashmë shpresoj që të gjej edhe mirëkuptimin e tifozëve.

Mendimet në kokën e lojtarit kanë qenë të shumta, edhe sepse idenë për të mos zbritur në fushë në duelin e skuadrës së tij, përballë ekipit të vendlindjes ka disa ditë që e përpunon.

Gilman Lika

E mendova që nuk mund ta luaj një sfidë të tillë menjëherë pas ndeshjes me Luftëtarin. Lashë ditët të kalonin, edhe pas zërave për një dënim të mundshëm të Skënderbeut, por duke qenë se asgjë konkrete nuk ndodhi vendosa të mos e luaj unë ndeshjen e Tiranës me Vllazninë.

Me kontratën te Tirana që i përfundon në fund të këtij sezoni, Gilman Lika nuk mendon se kjo zgjedhje e pranuar edhe nga klubi mund të ketë ndikim në vazhdimësinë e tij me ngjyrat bardheblu.

Gilman Lika

Nuk besoj që vendimi për të mos qenë prezent në sfidën e fundit të këtij kampionati mund të ndikojë në të ardhmen time te Tirana. Kjo edhe sepse presidenti më mirëkuptoi dhe pavarësisht faktit kontrata ime me klubin mbyllet në fund të këtij sezoni.