'Veliera' rikthehet për gjykim në Gjykatën Administrative

Rikthehet për gjykim çështja “Veliera” në Durrës, e cila tashmë do të gjykohet në themel në Gjykatën Administrative.

Sot është zhvilluar seanca përgatitore, ku pala paditëse dhe ajo e paditur kanë paraqitur dokumentacionin përkatës. Palët në këtë proces si shoqëria civile, bashkia Durrës, Ministria e Kulturës dhe firma ndërtuese kanë paraqitur dokumentat me pretendimet përkatëse pranë gjyqtarit Ergys Gashi, i cili pasi të përgatisë dokumentet e gjyqit me tre gjyqtarë do të njoftojë palët për caktimin e seancës së radhës.

Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Sazan Guri tha se “ne do ta vazhdojmë këtë betejë dhe gjykimi në themel është sukses i qëndresës sonë"

Ndërsa avokatja e shoqërisë civile, Mirela Jorgo u shpreh se “në rast se kjo cështje nuk zgjidhet në gjykatat tona do t'i drejtohemi Strazburgut”.

Ndërkohë nuk u paraqitën në seancën e sotme Instituti i Arkeologjisë, Instituti i Shërbimit Arkeologjik si dhe një kompani ndërtuese, e përfshirë në projektin “Veliera”.