Legjenda e Vorrit të Nuses: 'Mos me varrosni te shtëpia e burrit, po as te nana jo!'

Versione t’nji legjende mbi “Vorrin e Nuses”

Nga Ndoc Selimi 

Një nuse anonime e vdekur në rrugë, në prani të krushqeve ka një histori sa të dhimbëshme, aq edhe trishtuese. Enigma e saj ka humbur tashmë në kujtesën e mbi katër shekujve të shkuar për të na arritur sot vetëm përmes një monumenti të quajtur “Vorri i Nuses” pozicionuar në një livadh në anën e majtë të rrugës Mullet – Gurrë e Tiranës.

Kjo ngjarje e ndodhur në këtë zonë, sot interpretohet në tri variante të ndryshme prej popullit përreth.

“Na ishte njiherë një vajzë 16 vjeçe, e cila thuhej se kishte ra në sevda (dashuri) me një djalë diku afër shtëpise së saj. Prindët e kuptuan këtë gjë dhe vendosen ta martonin sa më shpejt. Prej kah ishte dhe ku shkonte, askush nuk e di gja – më ka pasë thanë në vitet 70′, plaku Myrteza Hasmema prej Petrele. Kështu erdh dita dhe krushqit u nisen bashkë me nusen për të shtëpia e burrit. Megjithë kundërshtimin e saj, zakoni e donte që ajo vajzë e re të shkonte atje ku ia kishin caktuar fatin prindët e saj. E hypun mbi shpinën e kalit e nën duvak, vajzës së re nuk iu terën sytë prej lotëve gjithë rrugës. Diku në njëfarë vendi, pikerisht afër katundit të Mulletit, nusja u kërkoi leje krushqëve për nevoja personale, por ishte gjithnji nën vëzhgimin e krushkës shoqëruese. Prej gjoksit, ajo nxjerr një thikë të fshehur në trup dhe pret damarët e duarve. U dha alarmi ndër krushq dhe vendas, por qe e pamundur t’i shpëtohej jeta vajzës. Në grahmat e vdekjes, nusja vajze apo vajza nuse u la amanetin e fundit: “Mos më varrosni të shtëpia e burrit, por as te nana jo!”.

Amanetin s’e tret as dheu! – thonë ndër shqiptarë – dhe krushqit vërtet u ndalën, ia bane vorrin dhe e varrosën pikërisht aty ku ajo kish dhanë shpirt!

Më vonë fshatarët vendas i banë këtë monument që shpesh ata e quajnë edhe “Tyrbe”.

Ka një variant të dytë ku tregohet sikur nusja u sëmur rrugës dhe vdiq papritmas në shalë të kalit? por është edhe varianti i tretë, sipas mikut tim, Osman Bunoca prej Mulleti, i cili më ka rrëfye se krushqeve iu zu pritë dhe në betejë e sipër nusja u vra aksidentalisht.

Unë gjithsesi mendoj se më i pranueshëm mbetet varianti i parë, mbasi nusja do të varrosej o te shtëpia e nanës o te e burrit dhe nuk mund të lihej në një vend vakant. Edhe varianti i fundit përmban elemente të ngjarjes së parë, mbasi pusinë mundet t’ua kenë zane të afërmit e ashikut të vajzës, ku djalit iu ba pabesia e martesës së vajzës.

Gjithsesi ky “Vorr i Nuses” asht një mrekulli që dëshmon edhe njiherë se dashnia e sfidon vdekjen, ku edhe vdekja nuk e shuen dashnine. Ka rreth 40 vjet që dëshiroja t’i baja nji foto këtij objekti dhe veç tani m’u dha rasti. Pushofsh në paqe moj vajzë anonime që nuk mbrrite të bahesh nuse as në shtëpi të burrit, as të ashikut, po diku midis nji fushe dhe mbas shekujsh dikujt iu kujtue me shkrujtë për ty!!