Plas sherri tek e majta, Rama u kërkon të tërhiqen nga gara, ja si i përgjigjen Milo e Gjinushi

Disa janë me Ramën e disa të tjerë jo. Mes partive të vogla të së majtës ka plasur sherri.

Duke qenë se PD-ja bashkë me aleatët e saj mund të dalë në një logo të vetme, duke i mbledhur të gjitha votat, që sjellin dhe maksimizim të mandateve, edhe Rama ka nisur ‘mercenarët’ e tij që t'i bëjnë thirrje partive të vogla të majta që të tërhiqen nga gara dhe votat t'ia kalojnë PS-së. Por brenda aleatëve të majtë duket se ka pakënaqësi e mbledhur në 4 vitet e qeverisjes që po mbyllet.

Debatin sot e ka çelur i pari Petro Koçi i PSV91, i cili pasi ka zhvilluar një takim në selinë e PS-së, kur ka dalë u ka kërkuar aleatëve të tjerë të majtë që të tërhiqen nga regjistrimi në zgjedhje. Duke shërbyer si ‘mercenar’ i Ramës, siç edhe i tha Paskal Milo, Koçi ka kërkuar largimin nga gara të partive të vogla të majta sepse çdo votë e mbledhur nga ata dëmton PS-në, e cila synon 71 mandate.

“I bëj thirrje edhe Paskal Milos dhe Skënder Gjinushit të tërhiqen”, tha Koçi sot, pas një takimi me deputetin socialist, Musa Ulqini në selinë rozë. Por ftesën e Petro Koçit nuk e kanë pritur aspak mirë, as Paskal Milo i PDS-së dhe as Skënder Gjinushi i PSD-së. 

Milo është ndier i lënë pas dore nga kryetari i PS-së dhe është shprehur: “Rama të më ftojë vetë, jo të përdorë Koçin si mercenar. Unë nuk refuzoj ftesa për të biseduar. Nëse më fton Rama në negociata, do të paraqitem.”

Kurse Gjinushi nuk është tunduar aspak: “Ne nuk tërhiqemi, - ka deklaruar ai. - Afati ligjor për të tërhequr regjistrimin ka ngrirë. PS-ja nuk fiton pa mua. Unë i siguroj dy mandate”, është shprehur Gjinushi për median.

/SYRI.net