Gjykata refuzon kërkesat e PSP-së për ngrirjen e pronave të VMRO-së

Gjykata Penale nuk ka pranuar asnjë kërkesë të Prokurorisë Speciale për ngrirjen e pronës së VMRO-DPMNE-së për rastin “Talir”. Përmes një njoftimi gjykata ka njoftuar se janë refuzuar të gjitha 12 kërkesat për ngrirjen e pronave, midis të cilave edhe ajo e selisë së partisë.

Gjykatësit e procedurës paraprake fillimisht kanë shprehur mos-pajtueshmëri për ngrirjen e pronës, ndërsa më pas gjykatësit e Këshillit Penal të repartit për krim të organizuar dhe Korrupsion e kanë konfirmuar mos-pajtueshmërinë e tyre.

Në rastin Talir, i dyshuari i parë është lideri i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski, si dhe shumë zyrtarë të tjerë të partisë së tij. Sipas procedurë parahetimore nga viti 2009 deri në vitin 2015 të dyshuarit kanë pranuar mjete joligjore për financimin e partisë në vlerë prej 4.9 milion euro. Këto para në vend se të kthehen në buxhet ashtu siç parasheh ligji, janë shfrytëzuar për financim të paligjshëm të partisë.