Kur Fenomeni ‘hëngri’ 3 grushte pasi kishte premtuar një tripletë

Ronaldo, ose siç njihet nga të gjithë “Fenomeni”, ka zbuluar një histori qesharake që ka ndodhur në kohët kur ishte akoma një adoleshent në Brazil.

Ish-lojtari i Real Madrid ishte i ftuar në një emision të ESPN Brazil dhe ka rrëfyer një ngjarje që ka provokuar të qeshura në studio:

“Isha 16 vjeç, dhe nuk e mbaj mend ku luaja. Konkurrenca në ato vite në Brazil ishte shumë e madhe. Sa herë hapja televizorin shihja deklarata sfiduese. Shihja Renato Gaucho që thoshte se ishte më i mirë se Romario. Romario thoshte se ishte më i mirë se Edmundo. Të gjithë thoshin se ishin më të mirë se tjetri.”

“Unë, si tip sfidues dhe me besim të madh në vete, në rastin e parë që mu dha mundësia deklarova se do të shënoja një tripletë në ndeshjen e radhës. Bëhej fjalë për një ndeshje të kategorisë së dytë dhe në atë kohë kishte vetëm një kamera. Sapo hyra në fushë më erdhi grushti i parë pa top. Më lëndoi jashtë mase por vazhdova. Më vonë më erdhi grushti i dytë, i cili më gjakosi keq. Nuk ankohesha dot pasi askush nuk donte t’ia dinte, dhe kamera normalisht që nuk kapte gjë. Në fund të pjesës së parë më erdhi edhe një grusht i tretë. Kam shkuar në dhomat e zhveshjes duke qarë. E gjithë kjo vetëm se kisha folur publikisht. Nejse, ndeshja përfundoi 3:0, dhe të tre golat i shënova unë.”