Çfarë thotë Berisha për një koalicion PS-PD?

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka komentuar marrëveshjen Rama-Basha dhe ka folur për zërat se pas zgjedhjeve mund të ketë një koalicion PS-PD.

I pyetur nga gazetarët në emisionin “Studio e Hapur” nëse mund të ndodhë diçka e tillë, Berisha tha: “Vetë pozicioni im nuk më lejon që të jap parashikime. Këto janë probleme të liderëve të partive. Pika që thotë se lideri i mazhorancës dhe opozitës duhet të vazhdojnë dialogun edhe pas zgjedhjeve ka një rëndësi kapitale. Dialogu nuk është bashkëqeverisje. Ai është i një rëndësie për vendin. Unë i kam thënë qëndrimet e mia për koalicionet. Unë jam jashtë rolit për të vendosur. Unë nuk e kuptoj ashtu.

Unë nuk jam për koalicione të mëdha. Por le të mos avancoj unë në mendimet e mia. Sepse nuk është kompetencë e imja. Unë gjykoj që megjithëse ka pasur një tendencë që ta shtrojnë këtë problem. Ky model i koalicionit të madh me bazë të gjerë këtu nuk shkon. Në Gjermani, atje shkon shkëlqyer, por ata njerëz zbatojnë ligjin. Unë nuk di dhe nuk besoj se ka një plan për koalicion të gjerë”.