Fake News i radhës/ 'BW' dhe 'Tema' bëhen qesharake, publikojnë të njëjtin mashtrim

Mediat pranë Qeverisë Rama kanë nisur sulmin ndaj ministrave teknikë të propozuar nga Partia Demokratike.

Sapo ka marrë detyrën, “BalkanWeb” dhe “Tema” i janë vërsulur ministres së re të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Xhulieta Kërtusha. Këto media kanë publikuar një lajm se “ministrja e Republikës së Re ka nisur punën me një tender”, dhe për këtë kanë publikuar disa dokumente që nuk janë tërësisht të plota.

Është qesharake të mendosh se në çfarë pike kanë arritur këto media të ndikuara nga Kryeministri Edi Rama.

E vërteta është shumë e thjeshtë. Sikurse mund të duket në këto dokumente të kufizuara të publikuara prej këtyre mediave me porosi nga zyra e shtypit të Kryeministrisë, ministrja e re Xhulieta Kërtusha ka anuluar një urdhër të ministres para saj, Olta Xhaçka.

Kurse, sa i përket “tenderit” të trumbetuar me të madhe nga mediat qeveritare, bëhet fjalë për siguracionin e 5 automjeteve zyrtare të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Dhe kjo shumë është 880 mijë Lekë të vjetra për 5 makina.

Nëse pagesa e siguracionit të automjeteve sikurse e parashikon ligji për çdo makinë, për këto media përbën skandal të madh në “këtë tender”, imagjinoni çfarë do të duhej të shkruanin për koncesionet në shëndetësi dhe fusha të tjera.

Ja vlen gjithashtu të sqarojmë se këto dokumente që qartazi janë të servirura nga qeveria, nuk kanë as datë dhe as vulë të institucionit. Të tilla shkresa zyrtare duhet të përmbushin patjetër elementet e mësipërme. /SYRI.net/