SYRI TV/ Shkojnë deri në Lezhë për injeksione, banorët e Babullojës: 8 vjet pa ambulancë!

Fshati Babullojë në Lezhë nuk ka Qendër shëndetësore. Prej tetë vjetësh, 700 banorë të këtij fshati detyrohen të shkojnë deri në Lezhë edhe për injeksione të thjeshta mjekësore. Ndonëse u është premtuar rikonstruksion i qendrës shëndetësore, deri më tani, nuk është bërë asnjë veprim konkret.

Nga SYRI TV

Prej më shumë se 8 vitesh, afro 700 banorë të fshatit Babullojë të Lezhës, nuk mund të marrin shërbim mjekësor pasi ambulanca është shkatërruar dhe në atë godinë nuk ndodhet asnjë mjek. Banorët e këtij fshati detyrohen që të marrin kujdes shëndetësor në spitalin e qyteti.

Të shqetësuar për këtë situatë, banorët i bëjnë thirrje autoriteteve përkatëse që të marrin masa dhe të mundësojnë një ambulancë në fshatin Babullojë pasi është shumë jetike për ata.

Ky shqetësim është i njohur për Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Lezhë, por nuk është marrë asnjë masë për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi disavjeçar.