Ndaloni shkatërrimin! Protestë në Vlorë. Banorët kundër ujësjellësit për Himarën

 

Dhjetëra banorë të krahinës së Lumit të Vlorës janë ngritur në protestë këtë të shtunë. Nën moton “Larg duart nga Shushica”, ata kundërshtojnë projektin e ujësjellësit që do të marrë ujin nga burimi i lumit Shushica për të furnizuar banorët e bashkisë së Himarës, duke bërë thirrje për anulimin e tij.

Paraditen e kësaj të shtune, dhjetëra banorë të krahinës së Lumit të Vlorës janë ngritur në protestë, për të disatën herë radhazi. Me thirrje të shumta e pankarta në duar me sloganin “Larg duart nga Shushica”, ata kundërshtojnë projektin e ujësjellësit që do të marrë ujin nga burimi i lumit Shushica për të furnizuar banorët e bashkisë së Himarës.

Sipas tyre ky lumë është i vetmi burim jetese për këto zona, që e përdorin edhe për aktivitetet ekonomike, por mbi të gjitha është edhe një atraksion turistik.  Protestuesit i bëjnë thirrje kryeministrit që ta ndalë këtë investim prej 9.5 milion eurosh, që do të dëmtonte të gjithë zonën.

Nga ura e Laskos në Kuç ku protestuan banorët e 37 fshatrave ku kalon ky lumë, ata bënë me dije se nuk do të ndalen deri në anulimin e projektit.