Pse nuk janë të kënaqur shqiptarët? Sondazhi i Monitor: Korrupsioni dhe gjendja ekonomike janë arsyet kryesore

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BEERZH) prezantoi në fund të muajit janar raportin vjetor të tranzicionit. Mes të tjerash, raporti vë në dukje se Shqipëria është i vetmi vend në Europën Juglindore ku kënaqësia e jetesës nuk është rritur krahasuar me vitin 2016.

Një sondazh i kryer nga Monitor në faqen e internetit dhe në rrjetet sociale tregoi se për pjesëmarrësit arsyet kryesore pse kënaqësia e jetesës në Shqipëri nuk rritet janë gjendja ekonomike dhe korrupsioni i lartë. Pak më shumë se 36% e pjesëmarrësve vlerësonin korrupsionin e lartë si arsyen kryesore, ndërsa afërsisht 36% e pjesëmarrësve të tjerë vlerësojnë gjendjen e pakënaqshme ekonomike si shkakun kryesor pse kënaqësia e jetesës nuk po rritet.

Pjesëmarrësit në sondazh votuan dobësinë e shtetit ligjor si arsyen e tretë që ka frenuar rritjen e kënaqësisë së jetesës mes shqiptarëve, me 16% të votave totale në sondazh.

Cilësia e dobët e sistemit arsimor dhe shëndetësor vlerësohet si arsyeja kryesore për 11% nga pjesëmarrësit në sondazh. Ndërkohë, vetëm 1% e pjesëmarrësve kanë votuar si arsye kryesore mungesën e rendit dhe të sigurisë.

Sipas raportit të BERZH, niveli i kënaqësisë së jetesës së shqiptarëve është njëlloj si në vitin 2016, ndërkohë që është dhe më e ulët se në vitin 2006, kur ka filluar matja e këtij indeksi.

Madje në 2006-n, Shqipëria ishte një nga vendet që kishte kënaqësinë më të lartë të të jetuarit ndër vendet e anketuara nga BERZH. Ndërsa në 2022, Shqipëria renditet ndër të fundit në rajonin e BERZH, së bashku me Maqedoninë e Veriut, Hungarinë, Turqinë, Lituaninë.

Sipas Raportit të BERZH, rritja mesatare e kënaqësisë së jetesës në rajon ndoshta reflekton rritjen e të ardhurave, zhvillime të favorshme në tregjet e punës (duke përfshirë një zhvendosje drejt punëve më të kënaqshme dhe me aftësi më të larta) dhe përmirësime në shëndet.

“Veçanërisht, vlerësimet e njerëzve për shëndetin e tyre janë përmirësuar ndjeshëm me kalimin e kohës, me vlerësime të tilla që përfshijnë jo vetëm aspektet fizike, por edhe shëndetin mendor. Rezultatet e sondazhit tregojnë se shqetësimi mendor shoqërohet me kënaqësi më të ulët dhe priret të jetë më i përhapur në vendet më të varfra dhe në mesin e individëve që janë financiarisht të pasigurt,” thuhet në raport.

Mbështetur në analizën e BERZH, mund të arrihet në përfundimin se faktorët e mësipërm në Shqipëri nuk kanë ndjekur një tendencë në përmirësim, ndryshe nga sa ka ndodhur ën shumicën e vendeve të tjera./MONITOR