Për Syrin që sheh gjithcka! Gerti Shella befason sërish me fotot magjike të Henës në Tiranë

Gerti Shella ka befasuar sërish me fotot e Hënës. Këtë herë ato janë bërë në mesditë, duke e bërë më intriguese tematikën e fotove të Hënës, që zakonisht janë në sfondin e natës apo në kompozim me siluetat që kanë sfond dritën e bardhë të vet Hënës.

Syri sjell fotot fantastike të bëra sot në Ibë të Tiranës. Shella është i njohur tashme nga publiku për hobin e tij të veçantë për fotografitë e satelitit të vetëm të Tokës. Ai zgjodhi të ndajë një set fotografik ekskluzivisht për lexuesit online të Syrit. Shella ia ka përcjellë fotot Redaksisë me përshkrimin: “Për Syrin që sheh gjithcka”.

Fotot janë bërë mesditën e datës 18 Shkurt dhe janë realizuar në kodrinat poshtë fshtatit Ibe, teksa Hëna lind mbi vargmalin e Kërrabës. Për realizimin e tyre është përdorur lente teleskopike ndërkohë që, përgatitja për setin ka filluar që dje, për të qenë “në pozicion” në ato pak sekonda kur Hëna kapërcen mbi kreshën e Malit.

Në një status të nxjerrë në FB me njërën prej fotove të bëra sot, Shella ka saktësuar se fotot janë bërë nga një distancë prej rreth 4 mijë metrash mes aparatit dhe objektivit, që në këtë rast është kreshta e malit të Kërrabës, që pason në rresht Malin e Dajtit dhe Malin e Priskës.   Hëna e sotme lindi në mesditë, në drejtimin 52 grade Veri-Lindje. Qielli i pastër ka bërë të mundur kompozimin e qartë, duke krijuar një kompozim të veçantë dritash në sfondin e qiellit blu të shkurtit.