Dy avionë kinezë ngrihen ‘për të shoqëruar’ avionin luftarak amerikan

 Kina konfirmoi dje në mbrëmje interceptimin e një avioni ushtarak amerikan nga dy avionë luftarakë kinezë, por siguroi se kjo ishte zhvilluar konform ligjit, duke përgënjeshtruar se avionët luftarakë kinezë kishin reaguar në mënyrë jo profesionale, ashtu si ishte shprehur Pentagoni.

“Konstatimet e krahut amerikan nuk korrespondojnë me faktet”, deklaroi Ministria kineze e Mbrojtjes në një komunikatë të publikuar sot.

“Më 17 maj, një avion zbulues amerikan zhvilloi një operacion mbi Detin e Verdhë kinez, (pjesa veriore e Detit të Kinës Lindore) dhe aviacioni kinez ka reaguar për të idetifikuar dhe hetuar konform ligjit”, sipas komunikatës që e cilëson këtë veprim profesional dhe të sigurt.

“Kina i kërkoi SHBA-së të ndërpresë këto lloj manovrash zbuluese për të parandaluar incidente të tjera duke vlerësuar se operacionet e vazhdueshme zbuluese të ushtrisë amerikane janë shkaku kryesor i problemeve të sigurisë mes Kinës dhe forcave ajrore dhe detare amerikane”, sipas komunikatës.