Ish-kandidati i PD për Bashkinë e Gjirokastrës ndalohet nga Policia e Fierit

Mjeku dhe ish-kandidati i PD për kryetar të Bashkisë së Gjirokastrës në zgjedhjet e 2015, Igli Kokalari është ndaluar nga Policia e Fierit paraditen e sotme.

Portali “JuguNews.net” raporton se Kokalari është ndaluar për shkak të një gabimi teknik të policisë.

Dy vjet më parë, Igli Kokalari denoncoi se i kishin vjedhur targat e automjetit, ndërkohë që targat u zëvendësuan nga DRSHTRR sipas kushteve që operohet në këto raste. Ndërkaq Policia e Shtetit denoncimin e bërë nga Kokalari e pati emetuar në gjendje aktive dhe rezultuar si automjet i vjedhur bashkë me targat.

Kësisoj Policia e Shtetit ka harruar të përditësojë të dhënat për këtë rast dhe informacioni nuk është freskuar që të rezultojë si rast i zgjidhur me zëvendësimin e targave, por rezulton në pikën fillestare dhe kjo jo për faj të Kokalarit.

Kokalari ndodhet aktualisht në ambientet e Komisariatit të Fierit së bashku me automjetin e tij të bllokuar deri në rifreskimin e sistemit të të dhënave nga regjistri themeltar i Policisë së Shtetit. Ai udhëtonte nga Tirana drejt Gjirokastrës.