FOTO/ Pakti Rama-Basha, PDIU ankohet pse nuk u lejuan koalicionet

Pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë Partia Drejtësi për Integrim dhe Unitet, ka konfirmuar pjesëmarrjen në zgjedhjet e 25 qershorit. Përmes një deklarate për mediat PDIU përshëndet arritjen e marrëveshjes mes dy forcave politike PS-PD, e cila mundësoi hyrjen në zgjedhje të partive opozitare.

Ndërkohë PDIU ngre si shqetësim t sajin kufizimin që ju bëhet partive për të mos garuar së bashku në një koalicion, por si të vetme në zgjedhje. Sipas PDIU, kjo pikë e marrëveshjes duhej rregulluar duke ndryshuar sistemin elektoral,nga sistem proporcional, në sistem proporcional kombëtar, ku vota e çdo qytetari shqiptar të jetë e barabartë.

Ndër të tjera PDIU shpreson që pas marrëveshjes, politika ti ofrojë qytetarëve shqiptarë standarde në këto zgjedhje.

Deklarata e plotë e PDIU:

"Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet përshëndet marrëveshjen mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, që i mundëson shqiptarëve të votojnë më 25 qershor dhe të kenë mundësi të zgjedhin me votë të gjithë spektrin e partive politike. PDIU i është mirënjohëse mbështetjes e përpjekjeve të panumërta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për zgjidhjen e krizës së radhës.

PDIU ka bërë çdo përpjekje për të kontribuuar në zgjidhjen e krizës, duke propozuar Paktin Kombëtar, tryezën e partive parlamentare te Presidenti dhe çdo tryezë tjetër. Ne kemi mbështetur çdo propozim, qoftë paketën "McAlister", qoftë "McAlister+" që kishte mbështetjen e zëvendës ndihmë sekretarit amerikan të Shtetit, Hoyt Yee.

Duke vlerësuar marrëveshjen PD-PS, "Big Mac", do të vlerësonim e mbetet për t'u parë që zgjedhjet e 25 qershorit të kenë standarde më të mëdha në transparencë më të madhe për financimin e partive politike, pjesëmarrjen e partive politike në procesin e administrimi të zgjedhjeve, numërimit sipas Kodit Zgjedhor, meqenëse votimi e numërimi elektronik nuk është pjesë e kësaj marrëveshjeje.

Heqja e mundësive për koalicione me marrëveshje të dy partive, mundësi që është sanksionuar në Kodin Zgjedhor si e drejtë e të gjitha partive politike, jep mundësitë për të garuar të vetme. Mirëpo, kjo mundësi nuk shoqërohet nga një sistem proporcional kombëtar, që do të bënte të barabartë votën për çdo shqiptar e për çdo parti politike.

PDIU fton të gjithë shqiptarët të marrin pjesë pasivisht në votime e me votën e tyre të vendosin kush do t'i qeverisë në katër vitet e ardhshme dhe të garantojnë pluralizmin politik në Shqipëri, në mënyrë që të ndahemi njëherë e mirë nga tranzicioni i tejzgjatur 27 vjeçar.

PDIU është e vendosur për të hyrë në zgjedhje me bindjen që kauzat e saj janë të cilitdo shqiptari që mendon si ne: Kemi Veç Një Atdhe!".