Marrëveshja mes Ramës e Bashës, Vasili: Po u hedhin hi syve të elektoratit

Tashmë fushata ka nisur dhe beteja politike mes kampeve politike ka nisur të bëhet më e ashpër, Ndërkohë vijojnë thumbimet nga LSI për paktin e arritur mes Ramës dhe Bashës. Kreu i LSI Petrit Vasili tha nga një takim me të rinjtë sot në kryeqytet se kriza e prodhuar muajt e fundit nga PD ishte artificiale dhe në fund u pa që ishte një fishekzjarre që dogji shumë të ardhura të ekonomisë së vendit tha ai.

“E kemi ngritur politikën mbi një themel moral, sinqeritet, fjala e mbajtur, modestia. Themeli ynë politik ka qenë dhe mbetet programe të vërteta… i hedhin hi syve elektoratit, i përdorin ata të marrin votën e radhës dhe pastaj të kthejnë shpinën e radhës.

Ne kemi bazuar themelin tonë edhe ne politikë, me parjen sy më sy, me uljen gju më gju. Synimi ynë për të qeverisur vendin vjen nga një bazë shumë e shëndetshme, politika të cilat shpikin furtuna në gotë, kriza artificiale për t’i shtuar vetes rëndësinë, por duke u treguar edhe më artificialë seç janë, për të prodhuar kriza që pastaj pa u kuptuar marrin disa përgjigje që askush s’i kupton por që s’kanë përgjigje për qytetarët, kjo nuk është politika jonë, as qasja jonë.

Edhe ato që ndodhën muajt e fundit, rrufetë e ndërsjelljta që u dukën më së fundi që në vend të rrufeve të vërteta ishin fishekzjarrë që dogjën shumë para të ekonomisë shqiptare ishte provë e vetme edhe e bindjes që njerëzit krijuan, që LSI me sinqeritet u investua edhe në zgjidhjen e asaj krize për të zgjidhur halle të popullit, këtë e kemi bërë me bindje, do e bëjmë dhe në të ardhmen.