Mogherini - Hahn: Ju përgëzojmë për marrëveshjen, tani vazhdoni me zgjedhjet dhe Vetingun

Shefja e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini dhe Komisionieri për Zgjerimin në KE, Johannes Hahn, kanë përgëzuar partitë politike në Shqipëri për arritjen e marrëveshjes mbi zgjedhjet parlamentare dhe iu kanë kërkuar atyre që tani të përshpejtojnë hapat për të realizuar zgjedhje sipas standarteve ndërkombëtare dhe natyrisht, zbatuar siç duhet, procesin e Vetingut.

Në një deklaratë të përbashkët, Mogherini dhe Hahan shprehen:

"Ne përgëzojmë partitë politike në Shqpëri për marrëveshjen e arritur, e cila do të çojë në mbajtjen e zgjedhjeve më 25 qershor 2017 me pjesëmarrjen e të gjitha partive. Liderët politikë iu përgjigjën shpresave të qytetarëve të tyre dhe treguan maturi politike.

Ky ishte një hap i parë vendimtar. Tani, kjo marrëveshje duhet të zbatohet me shpejtësi për të përgatitur zgjedhjet sipas standarteve ndërkombëtare.

Pasi votimi i parlamentit për krijmin e organeve të Vetingut është pjesë e marrëveshjes, ne përsërisim rëndësinë e zbatimit solid dhe të besueshëm të procesit të Vetingut, i cili është çelësi për të përparuar drejt anëtarësimit në BE. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Shqipërinë dhe aspiratat legjitime të popullit shqiptar për një të ardhme më të mirë," përfundon deklarata.