Roja shpëton kompaninë TAP nga hajdutët, policia i vë prangat: I trembe me armë pa leje

Roja private e kompanisë TAP ka arritur të shpëtojë mbrëmë naftën e kompanisë nga dy hajdutë që kishin ardhur ta vidhnin, duke shtënë në ajër me armë zjarri për t’I trembur. Ai ia ka arritur qëllimit, por fatkeqësisht, në vend që t’I jepnin shtesë rroge, ka përfunduar në pranga: Arma që dispononte ishte pa leje.

Policia e Fierit ka ndaluar dy hajdutët, Bledar Kumanaku, 27 vjeç dhe  Gëzim Kumanaku, 28 vjeç, të dy banues në fshatin Kallm i Vogël, Fier. Gjatë natës, dy Kumanakët, në fshatin Kallm, kanë tentuar të vjedhin naftën e mjeteve të kompanisë TAP.

Por, në pranga ra dhe roja I firmës private, Bujar Hazizi, 49 vjeç, banues në Fier. Policia tha se “arrestimi i tij u bë pasi në tentativë për të ndaluar personat e mësipërm, ka qëlluar në ajër me një armë zjarri pa leje.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy gëzhoja pistolete TT dhe automjeti tip Benz me targa TR 2450 I me të cilin udhëtonin 2 autorët e dyshuar.”

Tashmë, dosja e dy të parëve I ka kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale "Vjedhje" e mbetur në tentativë dhe për rojen,  "mbajtja pa leje e armëve luftarake" në ngarkim të shtetasit Bujar Hazizi.