Kukësi-Skënderbeu, Shkëmbi: Ja kush shpallet kampione në Superligë

Ish-kapiteni i Skënderbeut, Bledi Shkëmbi ka folur hapur për skuadrën që do të triumfojë këtë edicion në Kategorinë Superiore.

Kur na ndajnë edhe dy ditë nga ‘finalja’ mes Kukësit dhe Skënderbeut, në një ntervistë për "Panorama Sport”, Shkëmbi është i bindur që korçaret do të fitojnë dhe do të vazhdojnë të qëndrojnë të pathyeshëm në Superligë.

Si e shikoni ndeshjen e së shtunës?

Do të jetë një takim i fortë, një ndeshje ku të dy skuadrat do të duan të marrin maksimumin. Ndaj thashë që kjo është një përballje e ngjashme me atë të dy viteve më parë, pasi gjithçka varet nga 90 minuta. Janë vendimtare për objektivin e secilës.

Para dy sezonesh, vendosi Berisha dhe Lilaj atë takim. Po nesër kush vendos?

Personalisht mendoj se i gjithë ekipi ka luajtur mjaft mirë atë ndeshje, por natyrisht merita i takon atij që shënon. Pa ofenduar askënd, mund të them se Skënderbeu i dy viteve të fundit ishte më i fortë dhe i qëndrueshëm në lojë. Këtë sezon Skënderbeu ka pasur shumë luhatje gjatë pjesës së parë të kampionatit dhe kjo i ka sjellë në këto situata. Por mund të them me bindje që Skënderbeu ka ekipin më të mirë në Shqipëri në bazë të elementëve që ka në përbërje.

Për të kaluar te pyetja direkte: Kush fiton të shtunën?

Jam i bindur dhe kam besim të plotë që Skënderbeu do të fitojë ndeshjen e së shtunës. Është ekipi më i mirë në kampionat dhe ka eksperiencën e duhur për ta arritur këtë fitore. Grinta dhe shpirti i ekipit do të jetë çelësi i suksesit, ndërsa mendoj se ndeshja do të vendoset nga reparti i sulmit të Skënderbeut.

Kjo do të jetë ndeshja përcaktuese e sezonit?

Për mendimin tim po, Skënderbeu dhe Kukësi do të ndajnë shumë gjëra në këtë takim. Jam i mendimit se kush e fiton këtë duel atëhere 90% është kampion i Shqipërisë.

 

/ SYRI.net /