Biznesi i gëzohet marrëveshjes Basha - Rama, sinjale për kthimin e besimit

Sipërmarrjet shqiptare duket se po shohin ‘dritë në fund të tunelit’. Marrëveshja e shumëpritur politike iu ka dhënë atyre sinjale pozitive të kthimit të besimit.

Luan Bregasi, drejtues i Business Albania shprehet për “Monitor.al” se arritja e marrëveshjes politike mes dy formacioneve kryesore ishte një lajm i shumë pritur dhe që duhet inkurajuar. Sipas tij, kjo situata edhe pse nuk ka shifra, ka ndikuar jo pak në klimën e biznesit.

“Tashmë duket se do të kemi një klimë të re politike në vend dhe ne inkurajojmë politikën që më në fund gjeti gjuhën e përbashkët. Ne e shohim këtë si një sinjal dhe rikthim të besimit te biznesi i cili ka pasur kosto nga kjo situatë duke qenë se e kishte humbur”, tha ai.

Ndërsa kreu i sektorit të hotelerisë pranë Shoqatës Shqiptare të Turizmit thotë se kjo është periudha më e vështirë për industrinë shqiptare e shkaktuar nga paqëndrueshmëria politike.

“Marrëveshja çliroi ngërçin e krijuar të partnerët tanë strategjik. Por, shtyrja e zgjedhje për në datë 16 korrik do të ketë pasoja. ATA ka kërkuar vazhdimisht që të mos zhvillohen zgjedhje në periudhën që përkon me pikun e sezonit. Zgjidhja e duhur do të ishte shtyrja e tyre për në shtator”, tha Topuzi.

Pas arritjes së marrëveshjes së një nate më parë, kryeministri Edi Rama dhe kryeopozitari Lulzim Basha po zhvillojnë sot një tjetër takim për të përcaktuar detajet e paktit të arritur. Takimi po zhvillohet në Pallatin e Kongreseve.