Kërcënimi që vjen nga Afrika, një rrezik i madh i kanoset Europës

Grupi terrorist islamik, Boko Haram ka shkaktuar një krizë humanitare të paprecedentë në veri të Nigerisë që mund të sjellë një eksod masiv në drejtim të Evropës, deklaroi shefi nigerian i koordinimit të ndihmës humanitare.

“Nëse nuk përballemi me atë tani, frika ime më e madhe është se mijëra do të nisen për në Evropë”, deklaroi Ayoade Alakija.

Shqetësimet e Alakijas përforcohen edhe nga një studim i ri i Programit Botëror për Ushqim i Kombeve të Bashkuara (WFP), i cili tregon një lidhje të drejtpërdrejtë mes nivelit të lartë të pasigurisë ushqimore dhe migrimit në rritje.

Më shumë se pesë milionë persona përballen me pasiguri ushqimore akute ndërsa rreth gjysmë milioni fëmijë do të vuajnë nga problemet e të kequshqyerit në 12 muajt në vijim nëse nuk marrin ndihmë.