Nikollë Lesi është i shqetësuar: Çfarë pazari kanë bërë dyshja Rama-Basha, që nuk e tregojnë?!

Duket se marrëveshja e mbyllur në parim në orët e para të mëngjesit të sotëm mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, ka ngjallur edhe shumë dyshime dhe pakënaqësi në rrethe të ndryshme politike dhe media që i mbështesin.

Njëra prej tyre është edhe “Koha Jonë” e Nikoll Lesit, e cila që herët në mëngjes ka hedhur shkrime të shumta nëpërmjet të cilave ngre shumë pikëpyetje për këtë marrëveshje që duket se kapi në befasi disa aktorë. Në një prej shkrimeve të fundit media e Lesit shtron pyetjen retorike; Çfarë pazari dhe në kurriz të kujt kanë mbyllur Rama me Bashën dhe përse nuk e tregojnë?!

Shkrimi i plotë: Mesnata dyshe/Basha-Rama, çfarë pazari kanë bërë që nuk e tregojnë?!

Lulzim Basha dhe Edi Rama, pasi trazuan shtetin, njërëzit dhe ndërkombëtarët me destabilitetin e Shqipërisë, u takuan, u përqafuan dhe u mbyllën për tre orë në një zyrë në mesnatë.

Urimi vjen i sinqertë për gjetjen e një mirëkuptimi, pasi zgjedhjet duhet të jenë të të gjithë shqiptarëve dhe kjo falë investimit direkt amerikan, pa harruar edhe të BE, u arrit. Por të mësuar me marrëveshjet momentale shqiptare të këtyre 27 viteve, ku gjendet një zgjidhje sa për të kaluar krizën, dhe në thelb marrëveshja e re sjell prapë kriza të reja, lind e drejta publike për të ngritur dyshime. Pse i larguan partitë aleate dhe mbeten vetëm të dy kokë me kokë, ndërkohë që takimi nga PAA dhe PR ishte kërkuar për të të gjithë e me të gjithë?

 Çfarë u bisedua për mbi tre orë në mesnatë, sepse publikut që priste i thanë pak fjalë dhe një shtrëngim duarsh, pra asgjë konkrete? Edhe marrëveshja e mesnatës së vitit 2008 mes Edi Ramës dhe Sali Berishës, u quajt historike dhe që “ zgjidhi krizën”, por pikërisht ajo marrëveshje skutash ndryshoi Kushtetutën, Kodin Zgjedhor dhe masakroi krejt spektrin e ri politik shqiptar, duke çuar vendin në këtë krizë të re e cila ka  futur opozitën tre muaj në çadër.

Natyrisht që justifikimet e selive të PD dhe PS thonë se janë duke hartuar marrëveshjen e bërë mbrëmë dhe nuk mund të prononcohemi para se të firmoset. Por publikut i duhet thënë më përpara se të firmoset, pasi mund të jetë vetëm marrëveshje sa për të kaluar krizën e të dyve, por mundet të mos sjellë stabilitet afatgjatë. Ndaj duhet që Lulzim Basha dhe Edi Rama të flasin para medias e publikut se ç’po hartojnë, çfarë po gatuajnë në kuzhinën e pallatit të kongresve të rrethuar me gardën e Republikës.

Zakonisht kur dy liderë forcash kundërshtare rijnë natën dhe më pas shtrëngojnë pjesën e parakrahut të dorës duke thënë se “jemi 100 përqind dakort me njeri tjetrin” nuk prodhojnë vendime prej shtetari, por për interesa personale politike.

Ndaj duhej e duhet të dalin para publikut para se të bëjnë fakt të kryer, se çfarë kanë gatuar në mesnatë në ditën e 17 majit, duke hyrë data 18 maj.

Natyrisht që ndërkombëtarët nuk duan sherre në një rajon problematik siç mbetet Ballkani Perendimor dhe urojnë Bashën e Ramën për marrëveshjen, ashtu sikursë uruan në vitin 2008 marrëveshjen masakruese të kushtetutës mes Berishës dhe Ramës. Gjithnjë e keqja bie mbi njerëzit e thjeshtë.

Të rrinë tre orë mbrëmë dhe tre orë sot kokë me kokë, nuk besohet se po negociojnë për emra zv/ministrash, apo drejtorë policie!

Një pazar momental më të madh po e hartojnë, që duket se nisi në Vjenë, por që po përfundon përballë kullës së miliarderit shqiptar.